Shkup, 28 Korrik, 2022 - është zhvilluar takimi në mes të Elektranave të Maqedonisë së Veriut (ESM) dhe Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) me qëllim të ngritjes së bashkëpunimit në sektorin energjetik ndërmjet dy kompanive shtetërore për prodhim të energjisë elektrike ESM dhe KEK kanë filluar të intensifikojnë bashkëpunim për ta tejkaluar më lehtë krizën energjetike dhe situatën për sezonin e ardhshëm të dimrit. Në takimin e mbajtur në zyrat e ESM-së në Shkup në nivelin më të lartë udhëheqësish, u shqyrtuan mundësitë e shfrytëzimit të thëngjillit nga Kosova në termocentralet e Maqedonisë së Veriut, si dhe mundësia e mbështetjes reciproke ndërmjet dy sistemeve. Në takim morën pjesë Drejtori Gjeneral i ESM, MSc Vasko Kovaçevski, Bordi Drejtues i ESM, Kryeshefi Ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi dhe Këshilltari në Ministrinë e Ekonomisë së Kosovës, Milot Kelmendi. Gjatë takimit u konkludua se grupet e punës nga të dy kompanitë shtetërore në kohë sa më të shkurt do të vendosin procedurat për realizimin e bashkëpunimit të dakorduar, si dhe që qeveritë e të dy vendeve, përkatësisht Ministrat e Ekonomisë të njoftohen për hapat e ardhshëm, të cilat janë në kuadër të bashkëpunimit ndërshtetëror të dakorduar në pjesën e energjetikës nga Ministrat e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe Artane Rizvanoli në dhjetor 2021.