KEK ka lëshuar në punë një aset të rëndësishëm të sistemit të shpërndarjes, nënstacionin Prishtina 7. Rëndësia e këtij projekti rritet kur kihet parasysh se një pjesë e konsiderueshme e banorëve dhe bizneseve të kryeqytetit do të kenë shërbime shumë më kualitative. Ky zgjerim është bërë në pjesën jugore të Prishtinës, pasi kjo zonë është populluar shumë paslufte, duke qenë pjesa më shtimin më të lartë të banorëve në nivel vendi. “Ju mund ta shihni se në ketë vend ka investime të mëdha, biznese të mëdha sepse Zona Industriale e kryeqytetit ka filluar të bartet në këtë pjesë. Prandaj, korporata nuk ka ndenjur duarkryq, por krahas orientimit të popullatës dhe aktiviteteve ekonomike ka bërë dhe po bën edhe zgjerimin e kapaciteteve të shpërndarjes. KEK është dhe do të jetë aty ku janë qytetarët”, thaArben Gjukaj, Drejtor Menaxhues i KEK-ut. Nga lëshimi në punë i këtij trafostacioni do të përfitojnë direkt konsumatorët  në lagjet si: Veterniku, Lagja e Spitalit, Mati I, Hajvalia dhe Çagllavica. Përfitues do të jenë edhe miniera e Kishnicës dhe asetet e ndërmarrjes për furnizim me ujë “Prishtina”. Një dalje e veçantë do të jetë edhe për Qendrën Klinike Universitare, e cila do të rritë sigurinë e furnizimit në rast të prishjeve edhe pse ekziston një dalje rezervë, tashmë do të jenë dy të tilla. Ndërtimi i këtij nënstacioni do të lirojë nga mbingarkesa edhe asetet tjera sidomos ato në TS 110/10 kV Prishtina 2, TS 35/10 kV Prishtina II, Prishtina III dhe Badovci. Pra, përfitimi është i shumanshëm dhe nënkupton shërbime më kualitative për më tepër se 100 mijë qytetarë dhe biznese. “Sivjet ka pasur furnizim shumë më kualitativ dhe pa ndërprerje me energji elektrike. Kjo është arritur falë angazhimit maksimal të punëtorëve të KEK-ut. Ne i falënderojmë punëtorët të cilët kanë bërë që zhurma e agregateve të harrohet”, tha Ministri i Zhvillimit ekonomik, Besim Beqaj. Mjaft i kënaqur me këtë investim është shprehur të jetë edhe kryetari i Komunës së Prishtinës”, Isa Mustafa. “ Investimi në pjesën jugore të kryeqytetit ku janë lagje të ndjeshme është i mirëseardhur. Unë e falënderoj KEK-un që me mjete vetanake e ka zgjidhur një problem të madh për banorët dhe bizneset që operojnë në këtë pjesë”, tha Mustafa. Trafostacioni i ri 110/10(20)kV Prishtina 7 ka fuqi instaluese 2x40 MVA. Investimi prej afro 5 milionë eurosh është kryer komplet me mjetet vetanake të KEK-ut, ndërsa implementimi i punimeve është bërë nga kompania zvicerano-suedeze me nam botëror ABB në konzorcium me kompoaninë kosovare Monten, konzorcium ky që kishte fituar në tenderin e hapur për këtë investim kapital. Projekti i TS Prishtina 7 përbëhet nga pjesët kryesore si në vijim:
  • Zgjerimi i sistemit ekzistues të zbarrave 110 kV nëtrafostacionin Prishtina 4 220/110 kV me dy fusha shtesë të tranaformatorit 110/10(20) kV;
  • Ndërtimi nga ana e KEK-ut e trafostacionit të ri 110/10(20) kV, 2 x 40 MVA.
Trafostacioni Prishtina 7 që kishte nisur së ndërtuari nga viti i kaluar në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës për bartjen e linjave të tensionit të lartë 110 kV të marrë gjatë këtij viti do t’i bartet në pronësi KOSTT-it. Krahas këtij projekti, korporata ka investuar dhe po bën zgjerimin e rrjetit anekënd vendit duke i eliminuar fytet e ngushta.