Sot, më 03 shtator 2015, Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci, i shoqëruar nga zv/ministrja dhe bashkëpunëtorët vizituan KEK-un. Me ketë rast ministri vizitoi mihjen sipërfaqësore SJP, termocentralin Kosova A dhe Kosova B . Gjatë kësaj vizite, delegacioni u prit dhe u shoqërua nga Drejtori Menaxhues i KEK-ut z. Arben Gjukaj, menaxhmenti i KEK-ut dhe anëtarë te BD. Z. Gjukaj informoi ministrin dhe zv/ministren rreth proceseve nëpër të cilat po kalon KEK-u, aktiviteteve dhe rezultateve të arritura operuese dhe mjedisore. Gjatë vizitës në mihjen sipërfaqësore, menaxhmenti njoftoi ministrin për se afërmi lidhur me problemet rreth prodhimit të qymyrit si dhe sfidat me të cilat po ballafaqohemi për zhvillimin e mihjeve. Ndërsa në Termocentralin Kosova A dhe B, ministri u njoh për se afërmi me punën e blloqeve pas riparimeve të bëra se fundmi. Sidomos sfidës për kthimin në punë të njësive A4 dhe A5 të këtij Termocentrali. Delegacioni u informua rreth përfundimit me sukses të riparimeve të vitit të kaluar, me ç‘rast ky termocentral tashmë është duke prodhuar sipas planit dhe gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti ka tejkalim të planit 9.8%. “Përkundër sfidave të ndërlidhura me stabilizimin e prodhimit, një prej objektivave kryesore të korporatës tash e pesë vite, ishte dhe mbetet mbrojtja e mjedisit në hapësirat ku operon. Në këtë rast, jemi dëshmitar të përfundimit të suksesshëm të investimeve të filluara tash e katër vite në mbrojtje të mjedisit, që kapin shumën prej mbi 50 milion Euro, kryesisht nga mjetet vetanake.” tha z. Gjukaj. Vizita vazhdoi në zonën e ish Gazifikimit dhe Azotikut, pjesë të cilat janë jashtë funksionit me dekada dhe pritet të dekomisionohen së shpejti. Me tej, delegacioni u njoftua edhe në lidhje me investimet tjera në projektet ambientale të finalizuar vitin e kaluar siç është ndërrimi i elektro-filtrave të njësive të Termocentralit “Kosova A”, transporti hidraulik i hirit dhe rehabilitimi kodrave të hirit. Të gjitha këto projekte u realizuan me mjetet vetanake të KEK-ut dhe donacionet e Mbretërisë Holandeze dhe Bankës Botërore. Në fund, ministri Stavileci u nda i kënaqur më punën dhe të arriturat në KEK, edhe përkundër sfidave dhe problemeve si pasojë e vjetërsisë se blloqeve. Ai u zotua për mbështetje, sepse pa investime si në anën e prodhimit ashtu edhe në pjesën e minierave e ardhmja energjetike e vendit tonë mund të jetë e rrezikuar.