Siç edhe opinioni është në dijeni, nga muaji maj 2013, KEK ka licencë vetëm për prodhimin e energjisë elektrike dhe nuk bartë asnjë obligim ligjor karshi konsumatorëve për furnizimin e tyre me energji elektrike. Përndryshe, duhet te jemi të vetëdijshëm se për shkak të vjetërsisë, proceset e operimeve me stabilimente, të cilat i ka trashëguar KEK-u janë shume komplekse dhe vështirë te parashikueshme. Ky fakt është i njohur për të gjithë akterët e sektorit , edhe pse falë angazhimit të pashoq, menaxhimit efikas dhe investimeve të qëlluara gjatë viteve të kaluara rëniet e pa planifikuara dhe ditët jashtë punës të njësive të KEK-ut për shkak të këtyre rënieve janë përgjysmuar. Për me tepër , KEK informon në kohë reale të licencuarit të afektuar rreth çfarëdo lloj problemi kurdo që ai detektohet. Si pjesë e proceseve të rregullta operuese, nga data 01 gusht 2015, njësia “B1” e Termocentralit “Kosova B” , ishte në remont të rregullt. Nga ajo datë, ne këtë njësi, pos punëve tjera është bërë zëvendësimi dhe avancimi i sistemit operues softuerik (DCS) sinkronizimi i se cilit edhe pse mori më tepër kohe se sa ishte planifikuar, ka përfunduar me sukses. Në këtë moment janë duke u finalizuar edhe testimet e fundit në kohë reale duke eliminuar sfidat suksesivisht. Sipas kësaj dinamike, pritet që nesër në mëngjes njësia B1 të futet në punë, me ç ‘rast edhe prodhimi i energjisë elektrike do të jetë sipas planit. Përndryshe, në bazë të rregullave të tregut, të cilat për arsye të pamundësisë së palëve tjera të sektorit, nuk kanë filluar ende të zbatohen, cilado palë që krijon devijim ( mungesë apo tepricë) në treg duhet të bartë koston e saj. Sido që të jetë përgjegjësia përfundimtare karshi konsumatorëve mbetet ekskluzivisht e furnizuesit publik. Prandaj, mungesa eventuale ne prodhim te energjisë dëmton vetëm KEK-un si prodhues, duke marr parasysh se tarifat për prodhim të energjisë janë të përcaktuara në bazë të realizimit të balancës vjetore. Në këtë vije, ashtu sikur që vepron KEK-u, shpresojmë se secili subjekt në sektorin e energjisë, do të bëjë përpjekje, që të kryej funksionin e vet që ka dhe të marrë përgjegjësitë që i takojnë sipas kushteve të licencës.