Sot, Korporata Energjetike e Kosovës ka organizuar ceremoninë e marrëveshjes për një investim të rëndësishëm në vlerë prej 47.9 milionë EURO për modernizimin e turbinave të dy njësive të TC Kosova B, duke shfrytëzuar avancimet më të fundit teknologjike. Projekti do të implementohet nga kompania e mirënjohur amerikane General Electric (GE).
Projekti i modernizimit do të sigurojë që dy njësitë e TC Kosova B të funksionojnë me efikasitet më të lartë, prodhim më të besueshëm të energjisë elektrike dhe me kosto më të ulët. Ky investim madhor do të rrisë kapacitetin e prodhimit për 14-17 MW për njësi, pa emetime shtesë dhe ndikim negativ në ambient.
Modernizimi do të zgjasë jetëgjatësinë e përdorimit të turbinave për 20 vite të tjera dhe do të zgjasë ciklin e jetës së riparimeve kapitale të tyre nga çdo 5 vjet në çdo 8-9 vjet.
Ky investim do të na lejojë të vazhdojmë me kërkesën në rritje për energji elektrike duke siguruar që termocentralet tona të bëhen më efikase dhe më të besueshme. Me këtë projekt modernizimi, në po prezantojmë përparimet më të fundit teknologjike në inxhinierinë e termocentraleve për të rritur efikasitetin dhe produktivitetin e tyre, si dhe zbatimin e sistemeve të avancuara të kontrollit dhe monitorimit.
Modernizimi i mëtejshëm i Termocentraleve do të ketë një ndikim të rëndësishëm edhe në mjedis. Paralelisht me këtë projekt, KEK do të investojë edhe në teknologjitë e reja që do të na mundësojnë reduktimin e emetimeve si dhe varësia nga lëndët djegëse fosile do të ulet ndjeshëm, duke reduktuar kështu edhe gjurmën e karbonit.
Projekti i modernizimit të termocentraleve tona do të rrisë në mënyrë të ndjeshme sigurinë e operimeve të prodhimit të energjisë elektrike. Fokusi ynë është që të rrisim qëndrueshmërinë, efikasitetin dhe besueshmërinë e operimit të termocentraleve tona, dhe kjo do të sigurojë që KEK do të përmbush kërkesën në rritje për energji elektrike duke minimizuar ndikimin mjedisor.
Korporata Energjetike e Kosovës është e përkushtuar të ofrojë një burim energjie të besueshëm dhe me kosto të përballueshme për vendin dhe ky investim është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim.