Në vazhdën e përpjekjeve për të aplikuar forma të ndryshme të mësimdhënies dhe mësimnxënies, stafi i Kolegjit Amerikan në Kosovë (AUK) ka organizuar vizitë studimore në termocentralin e Korporatës Energjetike të Kosovës, (KEK), konkretisht në ”Kosova A”.

Në kuadër të lëndëve Politika Mjedisore dhe Politika Energjetike, mësimdhënësit e AUK-ut dhe inzhinjerët e korporatës i kanë mbajtur ligjeratë një grupi prej 52 studentëve të këtij kolegji.

Po ashtu, studentëve i është mundësuar edhe të shohin nga afër procesin e prodhimit të energjisë elektrike.

Për historikun e ngritjes së kapaciteteve të termocentralit “Kosova-A” dhe mënyrën e prodhimit të energjisë elektrike janë njoftuar nga inxhinierët, Ismail Simnica dhe Sabri Simnica. Më pas, studentëve u është ofruar mundësia që të shohin pajisjet e njësive prodhuese dhe komandat termike dhe elektrike. Me këtë rast janë informuar për mënyrën e startimit, punën dhe përcjelljen e procesit të prodhimit të energjisë elektrike nga manipuluesit e blloqeve dhe transmetimin e saj nga gjeneratorët e njësive prodhuese deri tek rrjeti elektrik. Studentët janë njoftuar me Njësitë Punuese: Përgatitjen Kimike të Ujit, Përgatitjen e Qymyrit, Sistemin Hidraulik dhe Pneumatik të hirit, Punëtorinë Mekanike dhe Elektrike. Gjithashtu inxhinierët i janë përgjigjur edhe pyetjeve të studentëve lidhur me prodhimin e energjisë elektrike, Koeficientin e shfrytëzimit të Kaldajave, Turbinave me avull, gjeneratorit dhe blloqeve në përgjithësi si dhe për mbrojtjen e mjedisit.

Të shoqëruar nga mësimdhënësit, studentët vazhduan edhe në Divizionin e Qymyrit, aty ku u njoftuan për së afermi me procesin e punimeve nga Gëzim Tërnava, këshilltar i xehetarisë. Studentët dhe mësimdhënësit i kanë falënderuar stafin e KEK-ut për këtë mundësi dhe kanë njoftuar se informacionet e marrura nga inxhinierët e lartpërmendur, do të shërbejnë për karieren e tyre në profesion dhe po ashtu do ti shfrytëzojne edhe për punim të temave të diplomimit .