Sot në Prishtinë, në kuadër të shënimit të Përvjetorit të Dytë të Hyrjes në Fuqi të MCC-Kosovo Compact, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ishte pjesë e panelit të nivelit të lartë kushtuar së ardhmes së sigurisë energjetike në vend.
Në fjalën e tij, Kryeshefi Ekzekutiv i KEK sh.a., z. Gramos Hashani, theksoi rolin kyç dhe të pazëvendësueshëm të KEK-ut në sistemin energjetik të Kosovës:
“Siguria energjetike e Kosovës nuk është një koncept abstrakt – ajo ka një emër konkret: KEK.”
Ai nënvizoi se mbi 90% e prodhimit vendor të energjisë elektrike sigurohet nga KEK, duke e pozicionuar Korporatën si bazament të stabilitetit energjetik të vendit. Në të njëjtën kohë, KEK është duke hyrë në një fazë transformuese, përmes një cikli investimesh strategjike mbi 500 milionë euro, të fokusuara në modernizimin e thellë të kapaciteteve ekzistuese.

Rehabilitimi i njësive B1, B2 dhe A3 do të garantojë vazhdimësi të furnizimit, rritje të sigurisë operacionale dhe zgjatje të jetëgjatësisë së kapaciteteve për dekadat në vijim, duke shtuar njëkohësisht rreth 130 MW kapacitet të ri prodhues. Paralelisht, KEK po avancon drejt diversifikimit të portofolit energjetik përmes zhvillimit të projektit solar prej 100 MW, si pjesë e synimit për të shtuar rreth 230 MW kapacitet të ri në fillimin e vitit 2028.
Në pjesën e dytë të diskutimit, z. Hashani vuri theks të veçantë në angazhimin e KEK në fushën e mbrojtjes së mjedisit, duke bërë të ditur investimet mbi 100 milionë euro në instalimin e elektrofiltrave dhe sistemeve DeNOx. Me përfundimin e këtyre projekteve, KEK pritet të operojë në përputhje të plotë me standardet mjedisore të Bashkimit Evropian.
Ai gjithashtu theksoi rolin e KEK-ut në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve për konsumatorët, duke nënvizuar se çmimi prej vetëm 29.5 €/MWh për shërbimin universal mbetet ndër më të ulëtit në rajon dhe i pandryshuar që nga viti 2019.
KEK mbetet garancia kryesore e sigurisë energjetike të Kosovës – duke forcuar themelet ekzistuese dhe duke investuar me vendosmëri në një të ardhme më të qëndrueshme, më të pastër dhe më konkurruese.