Kryeshefi Ekzekutiv i KEK sh.a., z. Gramos Hashani, ka zhvilluar një takim të veçantë me grupin e inxhinierëve të rinj të angazhuar në Termocentralin “Kosova A”, duke konfirmuar përkushtimin e tij të drejtpërdrejtë për fuqizimin e kuadrove të reja profesionale dhe ndërtimin e gjeneratës së ardhshme të ekspertëve të sektorit energjetik.
Takimi u zhvillua në kuadër të prioriteteve strategjike të KEK-ut për ripërtëritjen e stafit tekniko-profesional, në një kohë kur Korporata përballet me pensionimin e rreth 200 punonjësve çdo vit. Për këtë arsye, KEK ka ndërmarrë hapa konkretë për zhvillimin dhe integrimin e profesionistëve të rinj, duke rekrutuar 41 inxhinierë në profilet: Mirëmbajtje Elektrike – Mirëmbajtje, Rregullim dhe Komandim (MRRK), Mirëmbajtje Mekanike, Inxhiniering dhe Menaxhim të Projekteve, si dhe Gjeodezi Inxhinierike.
Gjatë bashkëbisedimit me inxhinierët e rinj, Kryeshefi Ekzekutiv shprehu mbështetjen e tij të plotë për zhvillimin profesional të tyre dhe theksoi se dera e menaxhmentit të KEK-ut do të jetë gjithmonë e hapur për bashkëpunim, komunikim dhe mbështetje profesionale.
“KEK-u ka nevojë për energjinë, dijen dhe profesionalizmin tuaj. Ju jeni gjenerata që do ta bartë barrën e zhvillimit dhe modernizimit të sektorit energjetik të Kosovës në vitet që vijnë,” theksoi z. Hashani.
Ai nënvizoi se investimi në kapitalin njerëzor është po aq i rëndësishëm sa investimet në teknologji dhe kapacitete prodhuese, duke shtuar se KEK do të vazhdojë të krijojë mundësi për avancim profesional, trajnim dhe përfshirje aktive të stafit të ri në projektet strategjike të Korporatës.
Njëkohësisht, Kryeshefi Ekzekutiv kërkoi nga inxhinierët e rinj përkushtim maksimal, disiplinë, përgjegjësi profesionale dhe respektim rigoroz të standardeve operative dhe të sigurisë në punë, duke theksuar se puna në sektorin energjetik kërkon seriozitet të lartë, integritet dhe kulturë profesionale.
Në kuadër të vizitës, z. Hashani u interesua nga afër edhe për procesin e integrimit të punonjësve të rinj, trajnimet bazike për siguri dhe shëndet në punë, si dhe programet profesionale që ofrohen nga Qendra e Trajnimeve e KEK-ut, të cilat janë të përshtatura sipas profileve dhe nevojave specifike të secilit punonjës.
KEK mbetet i përkushtuar në ndërtimin e një gjenerate të re profesionistësh, duke e konsideruar zhvillimin e kapaciteteve njerëzore si themel të sigurisë operative, modernizimit dhe transformimit afatgjatë të Korporatës dhe sektorit energjetik të Kosovës.