Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton të gjithë punonjësit dhe qytetarët se kanë përfunduar me sukses punimet bazike me zhavorr në aksin rrugor Mirash – Bardh, me gjatësi prej rreth 6.3 kilometra, dhe se nga nesër, e hënë, më 11.05.2026, fillon faza e zbatimit të projektit të asfaltimit të këtij aksi rrugor me rëndësi të veçantë për operimet e KEK-ut dhe për komunitetin përreth.
Punimet do të zhvillohen nga pika e deponisë së mbeturinave në drejtim të Bardhit. Për shkak të zhvillimit të punimeve dhe krijimit të kushteve të nevojshme teknike dhe të sigurisë, aksi rrugor Mirash – Bardh dhe anasjelltas Bardh – Mirash do të mbetet i mbyllur për qarkullim për disa ditë për të gjitha automjetet e KEK-ut, automjetet e qytetarëve, si dhe për autobusët e transportit të punëtorëve, deri në përfundimin e shtrimit të asfaltit.
KEK do të njoftojë me kohë opinionin dhe qytetarët sapo të krijohen kushtet për qarkullim të sigurt dhe rikthim të plotë të trafikut në këtë aks rrugor.
Gjatë kësaj periudhe, KEK i inkurajon të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të shfrytëzojnë rrugët alternative, me qëllim të shmangies së vonesave dhe lehtësimit të zhvillimit të punimeve.
Aksi rrugor Mirash – Bardh paraqet një investim me rëndësi të madhe strategjike, duke qenë një rrugë jetike për funksionimin dhe operimet e Korporatës Energjetike të Kosovës, por njëkohësisht edhe një lehtësim i konsiderueshëm për komunitetin dhe qytetarët e zonës përreth.
Përmes këtij projekti, KEK po vazhdon përkushtimin për përmirësimin e infrastrukturës, rritjen e sigurisë në komunikacion dhe krijimin e kushteve më të mira si për operimet e korporatës, ashtu edhe për qytetarët.