KEK-u reagon ndaj akuzave të pabaza dhe shpifjeve të Organizatës “Çohu” KEK.sh.a. është e detyruar të reagojë ndaj artikujve që janë botuar në gazetat dhe mediat elektronike në ditët e fundit, e që citojnë artikujt e Organizatës “Çohu”. Fjala është konkretisht për artikujt “KEK-Korporata e Korrupsionit” nga autorët Visar Duriqi dhe Qendrim Bunjaku, “ Masoud KEKyan Zot i Energjisë” nga autorët Besa Kalaja dhe Besnik Boletini dhe për artikullin“ KEK-u vendi ku rrasen të gjithë” me autor Avni Zogjani, publikuar në  gazetën mujore “Preportr”(Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese)http://preporter.com. Fillimisht, KEK.sh.a. dëshiron të theksojë se plotësisht e përkrah të drejtën e lirisë së shprehjes dhe  kërkesat për mediat e lira dhe të pavarura. Megjithatë, ushtrimi i këtyre të drejtave dhe lirive kërkon përgjegjësi të plotë nga gazetarët. Në veçanti, gazetarët pritet të jenë sa më të saktë në raportimin e tyre, të kërkojnë burime të besueshme dhe të verifikojnë çdo informatë para publikimit. KEK u ka bërë disa herë ftesë mediave si dhe palëve të interesit, duke përfshirë edhe organizatën “Çohu” që t’i drejtohen Zyrës për Komunikim në KEK për çfarëdo informate që u nevojitet, në mënyrë që informatat e plasuara të jenë të plota dhe zyrtare. Në këtë rast, nuk është i vërtetë fakti që KEK ka kundërshtuar të komunikojë me Organizatën “Çohu”. Për më tepër, përkundër faktit se gazetarët e Organizatës në fjalë janë prezantuar në mënyrë klandestine  edhe si gazetarë të gazetave të tjera duke shtuar pyetje nga më të ndryshmet, KEK gjithnjë ka qenë e gatshme t’u përgjigjet, që dëshmohet edhe nga korrespondencat që posedon Zyra për Komunikime në KEK. Si rrjedhojë, të gjithë këta artikuj janë shkruar me të dhëna të pasakta dhe thirren në deklarata diskredituese pa kurrfarë baze. Është e qartë se autoret jo vetëm se e kanë botuar këtë material me një qasje mospërfillëse ndaj verifikimit të të dhënave, por me një dijeni të plotë se informacionet e plasuara janë të pavërteta. Në këto rrethana, KEK-u rezervon të drejtën të sfidojë të gjitha deklaratat e pavërteta dhe dashakeqe të bëra në artikullin në fjalë, përmes të gjitha rrugëve që ia lejon ligji. Sidoqoftë, duke marr parasysh shkallën e lartë të fabrikimit, dhe në interes të zvogëlimit të dëmit tashmë të shkaktuar nga  artikujt në fjalë, KEK u bënë thirrje të gjithë botuesve që në afat sa më të shkurtë dhe brenda tetë ditësh nga ky njoftim të distancohen publikisht nga këta artikuj. Me ketë rast, KEK-u është i gatshëm të ulet dhe bisedojë me secilin prej gazetarëve apo botuesve – në mënyrë të hapur dhe konstruktive – për çfarëdo çështje legjitime që i përket shqetësimit publik në lidhje me veprimtarinë e KEK-ut. Në ndërkohë, të gjithë  ata që janë të interesuar të mësojnë lidhur me situatën aktuale në KEK, i lusim që të vizitojnë edhe faqen zyrtare të KEK-ut (www.kek-energy.com) dhe të lexojnë Raportin e pasqyrave financiare të audituara për vitin 2011, Raportin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm si dhe Prezentimin për performancën finaciare të bërë në prill të vitit 2012 nga Drejtori Menaxhues i KEK-ut.