KEK sh.a. sqaron se në tekstin “KEK-u nuk ngopet!” të botuar në numrin e sotëm, datë 05.09.2012 të gazetës Zëri nuk është thënë e vërteta. KEK sqaron për opinionin se nuk ka bërë asnjë kërkesë për rritje të çmimit të energjisë elektrike siç shkruan dhe pretendon gazeta në fjalë. Kërkesa për tarifa të reja bëhet pas ftesës së pranuar nga ZRRE, por kjo zyre nuk e ka bërë një gjë të tillë, prandaj KEK nuk ka aplikuar. KEK ka dërguar në ZRRE në bazë të kërkesës së kësaj të fundit projeksionet  pesëvjeçare ku janë të parapara shpenzimet kapitale dhe operative sikurse të hyrat e nevojshme për mbulimin e tyre. Por, kjo  nuk do të thotë assesi që korporata ka kërkuar rritje apo lëvizje të çmimeve të energjisë elektrike. Zëri madje shkon aq larg me spekulime duke konstatuar se kjo qenka bërë për t’i bërë nderë kompanisë Limak. Nga aspekti logjik, nuk ka mundësi as teorike  të bëhet një nder i tillë pasi  KEK as që ka aplikuar për tarifa?! Me tej, gjatë krahasimit të çmimeve  të energjisë elektrike në rajon, gazeta në mënyrë tendencioze dhe joprofesionale si referencë për rajon përdorë çmimin mesatar në një valute (denar!) ndërsa për Kosovë i referohet çmimit maksimal me një valute tjetër ( euro cent). Si rezultat krijohet përshtypja e shtrembëruar dhe spekulimi pastër se çmimi i energjisë elektrike në rajon qenka më i lirë se në Kosovë, që nuk është e vërtetë. Në secilën matje të bërë nga Shoqata e Rregullatorëve Rajonalë të Energjisë (ERRA) me seli në Budapest, që është enti i vetëm i thirrur për matje të çmimeve në këtë pjesë të Evropës, çmimet e energjisë elektrike në Kosovë janë më të lirat në rajon. Korporata është tejet e brengosur për tekste të tilla spekulative të cilat janë larg të vërtetës. KEK lut gazetën Zëri dhe të gjitha mediat tjera në vend që para se të dalin me tekste, sidomos ato të ndjeshme siç është çështja e tarifave t’i verifikojnë faktet në Zyrën për Komunikime të korporatës në mënyrë që të mos krijohet hamendësim në opinion.