KEK sh.a. shpreh reagimin e vet ndaj tekstit “KEK-ut i bie faturimi për 47 për qind” të botuar në numrin e sotëm, me 08.10.2012 të botuar në gazetën “Zëri”. Ky tekst përmban në vetë krahasime që nuk qëndrojnë dhe si rrjedhojë e kësaj devijohet komplet nga e vërteta, pra të dhënat reale. Fillimisht assesi nuk bën të krahasohet tremujori i parë me të dytin për shkak të rënies së madhe të kërkesës. Kjo i bie sikur të thuhet se temperaturat në verë janë rritur në krahasim me dimrin dhe të nxirret një argument i tillë qysh në titull! Krahasimi duhet të bëhet me periudhat e njëjta të vitit të kaluar.
Faturimi i KEK-ut jo vetëm që nuk ka rënë, por është rritur në 7 muajt e parë të këtij viti në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në periudhën kur përfshihet edhe koha e ftohtë dhe ajo e nxehtë ku janë të dhënat e gatshme finale, pra në 7 mujorin 2011 faturimi ishte 125 milionë euro, ndërsa në 7 mujorin 2012 është 133 milionë euro, pra ka një rritje prej 8 milionë eurosh. Prandaj, konstatimi i “Zërit” qysh në titull se ka rënë faturimi me 47 për qind pa specifikuar asgjë tjetër është një gënjeshtër e kulluar dhe keqinformim i lexuesve të vet. KEK assesi nuk mund të pajtohet me këtë titull dhe qasje tendencioze nga kjo gazetë.
KEK shprehë indinjatën edhe ndaj krahasimeve joprofesionale të bëra nga Enti i Statistikave të Kosovës, duke qenë të vetëdijshëm se kërkesa gjatë dimrit është dyfish më e madhe se gjatë verës.
Në tremujorin e dytë 2012 KEK ka furnizuar konsumatorët aq sa ka qenë kërkesa dhe nuk ka bërë reduktime për asnjë kategori. Pra, furnizimi nuk ka qenë asnjëherë më i mirë që nga paslufta. Por, KEK nuk mund t’i furnizojë konsumatorët mbi kërkesë sepse energjia elektrike nuk mund të depozitohet, por duhet konsumuar në momentin e prodhimit.
Përformanca e KEK-ut nuk ka qenë asnjëherë më e mirë dhe ka rritje të vazhdueshme. Rritja konstante nga viti në vit në të gjithë parametrat ka vazhduar edhe këtë vit. Pos faturimit është rritur edhe prodhimi edhe inkasimi, sikurse humbjet kanë vazhduar trendin rënës. E gjithë kjo ka bërë që reduktimet si pasojë e mungesës së energjisë të mos aplikohen thuajse fare, indikator që tregon se KEK-u po stabilizohet në të gjithë parametrat.
Në fund, KEK kërkon nga gazeta “Zëri” dhe nga të gjitha mediat që të kontaktojnë Zyrën për komunikime të korporatës e cila është e krijuar për të mbajtur kontaktet me media dhe palët e interesit e të mos thirren në atë se kanë kontaktuar me Drejtorin Menaxhues, sidomos në rastet e vikendeve.
KEK kërkon nga gazeta “Zëri” që të tërheqë tekstin në fjalë nga portali i vet dhe ta përmirësojë me të dhënat e ofruara në mënyrë që të del e vërteta në shesh.