KEK sh.a. sqaron se teksti i botuar të hënën, me 05.11.2012 në gazetën “Koha ditore” me titullin “KEK shpall konkurse pas privatizimit të Distribucionit”, përmban në vete akuza që nuk qëndrojnë ndaj korporatës. Në bazë te Ligjit për Ndërmarrje Publike, Bordi Drejtorëve zgjedh zyrtarët e Ndërmarrjeve Publike (NP) të cilët janë përgjegjës dhe kanë autorizime ekskluzive për menaxhimin e kompanisë. Si rrjedhojë, nga aspekti i qeverisjes korporative dhe mandatit që ka sipas ligjit, përfaqësuesi i aksionarit ( MZHE) nuk kërkohet të konsultohet direkt për punët operative të NP-ve. Sikurse jeni në dijeni, pjesa e Shpërndarjes dhe Furnizimit të  KEK-ut (KKDFE) ka kaluar nëpër një proces të transaksionit të shitjes së aksioneve ( privatizimit) nga ana e aksionarit (Qeverisë së Republikës së Kosovës). Në lidhje me këtë, edhe pse kontrata me pronarin e ri të KKDFE tashmë është nënshkruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, finalizimi i këtij transaksioni nuk do të hyje në fuqi derisa të përfundojë transferimi i biznesit të shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike, e cila gjë pritet të ndodhë në maj të vitit 2013. Deri në atë datë, menaxhementi i KEK sh.a. i ka autorizimit dhe mban përgjegjësi të plotë edhe për drejtimin e kësaj pjese të korporatës. Përndryshe, gjatë finalizimit të transaksionit në fjalë, në marrëveshjet përcjellëse me pronarin e KKDFE, është përcaktuar numri maksimal i punëtorëve që do të transferohen për operim të kompanisë së re. Në këtë numër përfshihen punëtorët ekzistues të divizioneve të Shpërndarjes dhe Furnizimit, numri i nevojshëm i punëtorëve të shërbimeve të përbashkëta dhe pozitave të nevojshme që të plotësohen skemat organizative të aprovuara të KKDFE. Përderisa numrat konform marrëveshjeve në fjalë nuk tejkalohen, menaxhmenti aktual ka autorizime të plota të operimit deri në datën e cekur me lartë. Andaj, duke marrë parasysh se KEK-u është duke iu përmbajtur marrëveshjeve në fjalë dhe do të vazhdojë të operojë brenda numrit të përcaktuar të punëtorëve, deri sot nuk kemi pasur e as nuk presim se do të kemi reagime negative apo brenga nga pronari i ri, nga NJMP/MZHE apo IFC rreth çfarëdo veprimi të ndërmarrë rreth operimeve tona të rregullta, pasi çfarëdo punëtori shtesë i angazhuar si zëvendësim i punëtorëve aktual nuk do të rezultojë në një numër më të lartë se ai i dakorduar. Ndërsa, rreth kontratave në fuqi, duke marrë parasysh autorizimet që menaxhmenti aktual ka deri në datën e finalizimit të transksionit, KEK sh.a. është vetëm duke zbatuar rregulloret e brendshme që janë konform Ligjit të Punës rreth arritjes së objektivave të përformancës së kompanisë. Zbatimi strikt i këtyre objektivave dhe rregulloreve ka sjellë deri tek rezultatet e viteve të fundit që nuk mund t’i mohojë askush.