KEK sh.a. njofton se ka shtuar aksionet kundër keqshfrytëezuesve të energjisë elektrike. Vetëm gjatë dy ditëve të fundit janë organizuar shumë kontrolla tek konsumatorët e dyshuar dhe janë zënë mbi 100 konsumatorë duke e keqshfrytëzuar energjinë elektrike. Numri i keqshfrytëzuesve të energjisë elektrike nëpër distrikte të zënë në 2 ditët e fundit: Distrikt i Prishtinës- 15 Distrikt i Prizrenit-    25 Distrikti i Ferizajit-    30 Distrikti i Pejës    -   22 Distrikti i Gjilanit  -   12 Distrikti i Ferizajt -   10 Sa i përket Distriktit të Ferizajt, këta konsumatorë janë zënë vetëm në një trafostacion, pra në trafostacionin e Spitalit të Ferizajt. Nga 20 konsumatorët e kontrolluar, 10 nga ta ishin duke e keqshfrytëzuar energjinë elektrike. Aksionet e tilla do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim dhe do të jenë edhe më të intensifikuara. Të gjitha veprimet e korporatës janë në përputhje të plotë me Ligjin për Energjinë Elektrike, i cili definon qartë edhe dënimet, të cilat janë deri në 50 mijë euro, sikurse edhe dënimet me burg, të cilat janë të përcaktuara nga Kodi Penal i Kosovës. Ky ligj, që ka hyrë në fuqi në pjesën e fundit të vitit të kaluar, mbështet fuqishëm krijimin e rregullit në këtë sektor që është ndër më problematikët më të cilët po ballafaqohet korporata. Por, KEK nuk ka ndejur duarkryq as në aspektet tjera. Për t’iu kundërvënë keqshfrytëzimit të energjisë elektrike KEK ka konsoliduar një ekip profesionistësh, të cilët janë të pakompromis ndaj çdo keqpërdorimi që e hasin. Tashmë kanë ardhur edhe pajisje mjaft të sofistikuara të cilat do të vihen shumë shpejtë në përdorim. Këto pajisje evidentojnë çdo keqpërdorim në instalime të brendshme të konsumonit keqpërdorues. Ekipi është në terren 24 orë në ditë, gjatë 7 ditëve të javës. Pra, ata që tentojnë të keqpërdorin energjinë elektrike nuk kanë ndonjë orar të përshtatshëm që ta bëjnë atë sepse ekipet e KEK-ut i vizitojnë konsumatorët në çdo kohë. Paralel me këtë ekip, KEK ka kompletuar edhe Qendrën e re të Kalibrimit, që është mjaft moderne dhe evidenton edhe rastet më të sofistikuara të manipulimit të njehsorëve elektrik. Kjo qendër që nga koha e modernizimit ka evidentuar mijëra raste të manipulimit të njehsorëve dhe rastet kanë përfunduar në gjyq. Manipulimi më njehsorë nga konsumatorët pos që është i kundërligjshëm, është edhe i rrezikshëm dhe ka shkaktuar disa raste fatale deri sot, dhe një numër shumë më të madh të lëndimeve. Prandaj, KEK apelon tek konsumatorët që të mos i prekin njehsorët e tyre në asnjë rrethanë. Pos rrezikimit të jetës, në çdo keqpërdorim gjurmët mbesin për një kohë të gjatë dhe ato evidentohen saktësisht në Qendrën e Kalibrimit. Pas evidencës KEK e dërgon rastin menjëherë tek organet e drejtësisë. KEK nuk do të ndalet deri në evidentimin e rastit të fundit të keqshfrytëzimit të energjisë elektrike.