Të nderuar të pranishëm, miq dhe bashkëpunëtorë Kam kënaqësinë e madhe që sot të jem në mesin tuaj dhe nikoqir i kësaj ngjarje për të vlerësuar punën e bërë në Minierën e Sibovcit Jugperëndimor dhe për të falënderuar punonjësit që janë angazhuar në këtë vepër të përmasave të mëdha, si dhe falënderimi dhe respekti i veçante për donatorët- Bashkësinë Evropiane për mbështetjen e tyre për këtë projekt. Mihja “Sibovci Jugpërendim” (SJP) është projekti më i madh energjetik gjatë dy dekadave të fundit në Kosovë. Kapacitetet e qymyrit të eksploatushëm të SJP janë 124 milionë tonë, të mjaftueshme deri në fund të jetës teknologjike të termocentraleve ekzistuese, përkatësisht të TC “Kosova A” dhe “Kosova B”. SJP është pjesë e Sibovcit ku janë të evidentuara dhe vërtetuara rreth 1 miliard tonë rezerva gjeologjike të thëngjillit. Hapja e mihjes ka nisur në korrik të vitit 2007 me largimin e djerrinës, me pajisje të parehabilituara, ndërsa eksploatimi i qymyrit për furnizim të termocentraleve ka nisur në muajin shtator 2010. Funksionalizimi i Sistemit të Parë të djerrinës është përmbyllur dhe sot jemi dëshmitarë të punës së vazhdueshme të këtij sistemi, që ka ndihmuar dhe ka bërë të mundur hapjen e minierës së re të qymyrit në vendin tonë dhe rrjedhimisht na ka mundësuar të sigurojmë vazhdimësinë në furnizim me qymyr të termocentraleve ekzistuese. Në sistemin e parë të djerrinës janë vendosur ekskavatori i riparuar komplet E10B, Palosësi P3B dhe katër shirita transportues b1600 mm. Ky sistem është kompletuar dhe është bërë funksional në fillim të dhjetorit 2009. Ndërtimi i Sistemit të Parë të Djerrinës ka pasur koston prej 34.74 milionë euro. Prej kësaj shume, Bashkimi Evropian ka financuar si donacion shumën prej 15 milionë eurosh, nga Buxheti i Kosovës janë donacion 3 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër prej 16.74 milionë euro janë financim nga KEK-u përmes kredisë afatgjatë të siguruar nga Buxheti i Kosovës. Riparimi i Ekskavatorit E10B ka filluar në muajin shkurt 2009 dhe ka zgjatur deri në nëntor 2009. Kostoja e riparimit është 13.65 milionë euro. Financimi është bërë nga donacionet e Bashkësisë Evropiane në vlerë prej 10.58 milionë euro dhe donacioni nga Buxheti i Kosovës në vlerë prej 3.07 milionë euro.  Riparimi i Palosësit P3B ka filluar ne muajin shkurt 2009. Kostoja e riparimit është 9.15 milionë euro. Financimi është bërë nga donacioni prej Bashkësisë Evropiane në vlerë prej 7.06 milionë euro dhe nga KEK përmes huasë prej Buxheti i Kosovës në vlerë prej 2.08 milionë euro.  Riparimi i shiritave transportues ka filluar ne muajin shkurt 2009). Kostoja e riparimit të shiritave transportues është 11.16 milionë euro. Financimi është bërë nga KEK-u përmes huas nga Buxheti i Kosovës.  Riparim i sistemit  është kryer me një teknologji shumë të avancuar që d.m.th. komplet sistemi i komandimit është përmes    PLC – sistemit   dhe sistemit  Wireless. Kjo linje vetëm muajin e kaluar ka zhvendos mbi 350 000 m3 djerrin,qe garanton se kapacitetin e planifikuar sipas projektin do te realizohet. Më lejoni që edhe njëherë për tërë punën e bërë në lëvizjen e kësaj makinerie  të rëndë, riparimin e saj dhe sigurimin e asaj të re të nevojshme për këtë proces, si dhe në funksionalizimin e vetë sistemit, të ofroj mirënjohjen dhe falënderimin tim më të sinqertë për punonjësit e Mihjes së KEK-ut, si dhe donatorët për ofrimin e mbështetjes së tyre financiare për këtë projekt. Fjala është për Bashkimin Evropian dhe Qeverinë e vendit tonë. Ju falënderoj edhe njëherë të gjithëve dhe ndihem jashtëzakonisht mirë që përkundër pesimizmit të madh që projekti nuk do të realizohej me kohë kur ka nisur së implementuari, ja dolëm të dëshmojmë se mund të zbatojmë projekte kapitale të këtyre përmasave në kohë të duhur për të pasur mjaft qymyr për prodhimin e energjisë elektrike në termocentralet tona. Ju faleminderit!