Të nderuar pjesëmarrës, KEK sh.a. po bën përpjekje maksimale që të ofrojë shërbime sa më kualitative për konsumatorët e vet. Kjo është një sfidë që nënkupton investime në vlera të mëdha në të gjithë sektorët e korporatës, anekënd vendit. Në vazhdën e këtyre investimeve, duke e parë se gjendja e rrjetit të shpërndarjes në Komunën e Gjilanit nuk ishte ajo që do të duhej të ishte, korporata së bashku me donatorët, në këtë rast Qeverinë e Zvicrës ndërmorëm hapin për investimin e një nënstacioni të ri që përfundimisht do të ofrojë shërbime shumë më kualitative në Gjilan dhe rrethinë, do të zvogëlojë humbjet teknike dhe do të ndihmojë industrinë e Komunës së Gjilanit. Me këtë rast shpreh falënderim të veçantë për Qeverinë e Zvicrës, që pa asnjë hezitim dha mbi 10 milionë franga për projektin. Ky donacion edhe njëherë tregon vazhdimin e përkushtimit të shtetit helvetik për Kosovën. Vetëm t’ua përkujtoj se Qeveria Zvicerane në vitin 2004 kishte dhënë donacione për ndërtimin e dy nënstacioneve në këtë pjesë të vendit, përkatësisht NS 35/10 (20) kV Gjilani IV dhe 110/10 (20) kV NS Berivojce, sikurse për rehabilitimin e NS 35/10 (20) kV Gjilani I. Së bashku mund të kryhen shumë punë. Korporata do të përgatisë kanalet kabllovike për daljet 20 (10) kV, që kushtojnë rreth 600 mijë euro, ndërsa Komuna e Gjilanit ka ndarë tokën për ndërtimin e nënstacionit. Ndërtimet që po nisin sot, do të përfundojnë në qershor të vitit të ardhshëm nga kontraktorët e mirënjohur Alstom/Energoinvest. Desha të potencoj se ky nuk është projekti i vetëm i korporatës në Rrjetin Distributiv. Shumë shpejtë do të nisin punët edhe në ndërtimin e nënstacionit Prishtina VII, projekt ky afro 7 milionë eurosh, që përfundimisht do të zgjidhë furnizimin me energji elektrike për Prishtinën e Re. Edhe shumë investime tjera janë bërë dhe po bëhen anekënd vendit. Pra, paralelisht me ndërtimin e Kosovës, korporata po e zgjeron rrjetin. Sfidat janë të shumta, kur dihet se ky rrjet kërkon investime të mëdha, pasi nuk ishte mirëmbajtur e as ishte investuar fare gjatë okupimit 10 vjeçar në fund të viteve ’90. Në një situatë të tillë, futja e investimeve private është e mirëseardhur për ta përmbyllur misionin e korporatës- që konsumatorët të kenë shërbime kualitative të nivelit evropian. Ju siguroj se kjo domosdoshmëri e kohës nuk është një ditë e largët. Edhe njëherë faleminderit të gjithëve.