Drejtori Ekzekutiv në Bankën Botërore, z. Konstandin Huber gjatë vizitës që i ka bërë këto ditë Kosovës ka vizituar edhe KEK-un. Z. Huber, i shoqëruar nga Drejtori Menaxhues i KEK-ut, z. Arben Gjukaj ka vizituar të premten asetet e korporatës në termocentrale dhe në miniera. “Jam i kënaqur me përparimin që është arritur në prodhimin e energjisë elektrike. Shpreh mbështetjen time të plotë dhe të institucionit që përfaqësoj në mbështetje të KEK-ut në veçanti dhe energjetikës në përgjithësi”, tha z. Huber. I pari i KEK-ut e ka njoftuar z. Huber në lidhje me zhvillimet e korporatës. “Jemi duke investuar në miniera dhe tash kemi prodhim stabil të qymyrit. Njësitë gjeneruese të energjisë elektrike kanë arritur stabilitet të lartë të prodhimit, sikurse po punojmë në projektet ambientale falë edhe ndihmës së Bankës Botërore. Deri në gjysmën e vitit të ardhshëm prodhimi do të jetë shumë më i pastër”, tha z.Gjukaj. Për rikultivimin e deponisë së hirit Banka Botërore ka dhënë 10 milionë dollarë. Z. Huber ka vizituar edhe vendin ku parashihet të ndërtohet TC “Kosova e Re” dhe ka siguruar vazhdimin e mbështetjes së bankës edhe në këtë sektor.