KEK-u ka filluar përgatitjet për sezonin e dimrit 2011-12 respektivisht mirëmbajtjen e planifikuar në njërën prej dy njësive të termocentralit Kosova B. Mirëmbajtja do të bëhet gjatë periudhës 9 shtator deri 28 nëntor 2011 dhe njësia në fjalë do të ndalet përkohësisht gjatë kësaj periudhe. Kryerja e kësaj mirëmbajtje do të sigurojë që KEK-u të ketë më shumë furnizim të qëndrueshëm të energjisë elektrike gjatë muajve të dimrit. Gjatë periudhës së planifikuar të mirëmbajtjes, KEK-u do të importojë energji shtesë për të kompensuar pjesën e zvogëluar të furnizimit në dispozicion. KEK-u megjithatë njofton konsumatorët e saj që gjatë periudhës shtator deri nëntor 2011 kur edhe do të kryhet mirëmbajtja, KEK-u nuk do të jetë në gjendje të plotësojë tërë kërkesën e konsumatorëve për energji.  Konsumatorët në kategorinë C mund të presin që ata do të jenë të parët që do të reduktohen, dhe konsumatorët në kategorinë B do t’i nënshtrohen reduktimit gjatë orëve të ngarkesës maksimale (“pikut”) në ditët kur kërkesa është e lartë. I gjithë reduktimi do të bëhet në pajtim me planin e krijuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. KEK-u përkujton publikun e gjerë se i trajton të gjithë konsumatorët në mënyrë të barabartë dhe ata konsumatorë që nuk paguajnë për shpenzimin e energjisë elektrike do të shkyçen.