KEK sh.a. reagon ashpër ndaj deklaratave të pamatura të kryetarit të Aleancës Kosovare të Biznesit, z. Agim Shahini. Korporata e konsideron të pamoralshëm konstatimin e z. Shahini se gjoja KEK-u po e pengojka përparimin e bizneseve pas masave të reciprocitetit.
Z. Shahini e quan të çuditshme faktin se KEK-u lejon në daljet ku janë kyçur bizneset humbje komerciale deri në 1 për qind dhe kërkon ndryshimin. KEK sh.a. i përkujton z. Shahini se humbjet komerciale janë vjedhjet e energjisë elektrike dhe toleranca është zero. Ndërsa, KEK pikërisht për të mos i dëmtuar bizneset e ka lejuar këtë kufi deri në 1 për qind. Z. Shahini kërkon që kufiri i hajnisë të jetë më i lartë se 1 për qind. Kjo paraqet vetëm mbrojtjen e hajnave që i kanë vjedhur korporatës dhe shtetit të Kosovës nga 10 milionë euro në vit. Z. Shahini e ka për detyrë t’i mbrojë bizneset e jo t’i mbrojnë hajnitë dhe të kërkojë zgjerimin e tolerancës për hajni, e asessi të mos përzihet në çështjet afariste të një kompanie komerciale siç është KEK-u, sepse nuk e ka këtë mandat.
Pa kërkuar fare z. Shahini, KEK-u kishte krijuar kategorinë A+. Kjo kategori ishte krijuar pikërisht për t’i mbrojtur bizneset nga reduktimet. Por, janë pikërisht bizneset që i mbron z. Shahini ato që e kanë keqpërdorur këtë formë në mënyrat më vandale të mundshme. KEK ka kërkuar ndërmarrjen e masave shtesë pikërisht për t’i mbrojtur bizneset e ndershme dhe t’u kundërvihet atyre të pandershmeve që i përfaqëson z. Shahini. Kërkesa për pagesë përmes Direkt Debitit është shumë e natyrshme dhe e favorshme për bizneset, sepse u shkurton kohën e pagesës dhe procedurat tjera. Në Bashkimin Evropian sot 100 për qind e bizneseve paguajnë faturat përmes Direkt Debitit. Kësaj i frikësohen vetëm bizneset që nuk dëshirojnë t’i paguajnë faturat e tyre dhe ta keqpërdorin energjinë elektrike. KEK nuk mund të tolerojë më humbjen e 10 milionë eurove në vit dhe mospagesën nga konsumatorët që i ka në listën e prioritetit. Energjia elektrike duhet paguar dhe nuk duhet keqpërdorur. Korporata i ka ndërmarrë këto masa pikërisht për këtë arsye, që bizneset t’i respektojnë ligjet dhe procedurat në fuqi, që janë të njëjta në secilin vend normal të botës. Ndoshta, z. Shahini i konvenon xhungla e krijuar, por kjo nuk do të tolerohet. Ato biznese që paguajnë faturat dhe japin garancion se do t’i paguajnë ato dhe nuk do të vjedhin energjinë elektrike KEK do të vazhdojë t’i furnizojë me prioritet, pra pa ndërprerje. Bizneset që mendojnë vetëm për keqpërdorime dhe që nuk e kanë në plan të paguajnë për mallin që e shfrytëzojnë, do të jenë të privuar.
Sa i përket investimeve, KEK sh.a. i rikujton z. Shahini se vetëm vjet e sivjet ka investuar nga mjetet vetanake dhjetëra milionë euro anekënd vendit në zonat ku janë të alokuara bizneset e mëdha vetëm që ato të kenë energji elektrike më kualitative.