Banorët e Kastriotit, Fushë Kosovës dhe Prishtinës mund të marrin frymë më lirshëm në vjeshtën e vitit 2012. Kjo do të arrihet falë vendimit të KEK-ut për të investuar në një zgjidhje të realizueshme në aspektin teknik dhe të përballueshme financiarisht, në mënyrë që të zvogëlohet sasia e pluhurit të cilën aktualisht e liron Termocentrali A. Për momentin, emetimi i pluhurit nga Termocentrali Kosova A është mjaftë i lartë: rreth 900mg/Nm³, në total një vëllim i emetimit në ajër prej rreth 100,000 tonësh në vit. Kjo është shumë larg prej kufijve të pranueshëm ndërkombëtarë. Kufiri i emetimit prej 50 mg/Nm³ për termocentralet e këtij lloji është specifikuar përmes Direktivës së BE-së për Centralet e Mëdha me Djegie 2001/80/EC (LCPD). Të hënën, më 29 gusht, KEK-u ka nënshkruar një kontratë me konzorciumin “Hamon Environmental” nga Gjermania dhe “Intering, Sh.a.” nga Kosova për të zëvendësuar Elektro-Filtrat (EF) që aktualisht janë të instaluar në tri blloqet operuese të Termocentralit Kosova A, respektivisht A3, A4 dhe A5. Këta EF janë të vjetër, joefikas dhe lirojnë sasi të mëdha të pluhurit, gjë që shkakton ndotjen jo vetëm të zonave përreth mirëpo edhe brenda objekteve të kazanit.  Zëvendësimi i EF-ve do të zvogëlojë nivelet e emetimit të pluhurit të termocentralit nën 50 mg/Nm³.  Pra do të arrihen standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian, përderisa banorët eKastriotit, Fushë Kosovës dhe Prishtinës do ta vërejnë ndryshimin e cilësisë së ajrit në vjeshtën e vitit 2012, kur edhe do të përfundohet zëvendësimi i EF-së së parë. Dy EF-të që mbeten do të zëvendësohen deri në vjeshtën e vitit 2013. Kostoja totale për zëvendësimin e të tri EF-ve është rreth 25 milion euro. Kjo po financohet nga fondet e vetë KEK-ut. KEK-u nuk ka mundësi që t’i largojë nga operimi të tri këto blloqe në të njëjtën kohë, në mënyrë që të zëvendësojë EF-të e tyre. Përpjekjet e KEK-ut për të zvogëluar emetimin e pluhurit të TC Kosova A janë pjesë e përpjekjeve të mëdha në minimizimin e ndikimit të TC Kosova A në mjedis – të cilat përfshijnë projektin në vazhdim e sipër për instalimin e një sistemi hidraulik për largim të zgurës nga TC Kosova A – një projekt ky që po bashkë-financohet nga Banka Botërore dhe Qeveria Holandeze. Projekti për Pastrim dhe Rikultivim të Tokave  (PPRT) i financuar nga Banka Botërore/Qeveria Holandeze është duke u implementuar nga KEK-u dhe përfshin sistemin e ri të propozuar të transportimit hidraulik/të njomë të hirit nga Kosova A në minierën e Mirashit. Ky projekt duhet të përfundojë në fillim të vitit 2012 – KEK-u kontribuon me 8 milion euro për këtë projekt.