KEK sh.a. njofton se është stabilizuar furnizimi me energji elektrike. Këtë e ka mundësuar futja në sistem e njësisë A5, sikurse edhe i njësisë B1 që është në proces të kthimit në funksion të plotë pas remontit të planifikuar. Kjo ka bërë që të tejkalohen reduktimet më të theksuara që kanë qenë gjatë dy ditëve të fundit. Gjendja ishte ashpërsuar pas shkuarjes në remont të planifikuar të njësisë B2 dhe kohës në kthimin në punë nga remonti të njësisë B1. KEK ka reaguar duke rritur importin por kërkesa për energji elektrike ka qenë më e lartë. Korporata ka kontaktuar me kompanitë nga rajoni që të sigurojë sasi të mjaftueshme të importit për përballimin e kërkesës,por kjo ka qenë e pamundur për shkak të energjisë elektrike të kufizuar edhe në rajon. Në këtë situatë faktike KEK sh.a. i siguron të gjithë konsumatorët që po i trajton në mënyrë të barabartë, pra nuk po e diskriminon e as nuk po e favorizon askënd. Furnizimi po bëhet sipas kategorizimit ABC në tërë territorin e vendit. Më të afektuarit kanë qenë konsumatorët që gjenden në kategorinë C që janë paguesit më të pakët të energjisë elektrike dhe ku humbjet komerciale janë më të mëdhatë. Si pasojë e krijimit të një gjendje të tillë, KEK sh.a. kërkon falje ndaj konsumatorëve dhe i siguron të gjithë se po bën çka është e mundur që t’i furnizojë me energji elektrike në mënyrën më kualitative të mundshme. Nga 9 shtatori e deri me 28 nëntor është koha e remonteve te planifikuara ne bllokun B2, i cili pas remonteve do te kthehet me kapacitet te dizajnuar dhe me stabilitet maksimal. Pra, po veprohet për të mirën e konsumatorëve që në kohën e rritjes së kërkesës, gjendja të jetë sa më stabile. Pas investimeve në njësinë B2 ky bllok do të prodhojë me kapacitete të njëjta sikurse kur është lëshuar në punë, pra mbi 310 megavatë/orë. Tash e tutje konsumatorët e kategorive A dhe B planifikohet të furnizohen pa ndërprerje, ndërsa e afektuar mund të jetë kategoria C gjate kohës se pikut, për çka korporata ka lajmëruar edhe më herët opinionin përmes mjeteve të informimit.