KEK sh.a. sqaron se në gazetën “Zëri”, teksti “KEK blen 6000 euro fotoaparat” të botuar në numrin e së shtunës, datë 01.10.2011, ka pasaktësi të cilat nuk e paraqesin realitetin. KEK sh.a. sqaron se ka shpallur fituese ofertën për blerjen e 30 fotoaparateve në tenderin që i referohet gazeta, pra një fotoaparat me pajisjet përcjellëse si bateritë me mbushje reverzibile, çantat për bartje dhe kartelat kanë një kosto ofertuese prej 172 eurosh që është çmim i tregu. Madje, gazeta ka dërguar pyetje për një tender që ishte në proces, e ka shkruar për një tender tjetër. Gazeta ka pyetur a janë hapur ofertat edhe pse kanë pasur qasje dhe e kanë parë se është bërë shpallja e fituesit. Ndërsa, tenderi ku citohet KEK-u zyrtar është hapur të premten dhe nuk ka asnjë lidhje me tenderin paraprak, ofertat për të cilin ishin hapur me 08.09.2011. Gazeta ka ndryshuar edhe prononcimin zyrtar të korporatës ku i tregohej se bëhej fjalë për “fotoaparatet” në shumës, ndërsa mediumi në fjalë e shndërron në njëjës. Në këtë situatë KEK sh.a. është i detyruar të ndjekë rrugën ligjore. KEK sh.a. kërkon edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile se nëse kanë informata për keqpërdorime eventuale t’i dërgojnë ato tek organet kompetente e të mos përpiqen ta dëmtojnë qëllimshëm korporatën. Korporata e lut deputeten Myzejene Selmani të japë argumente mbi bazën e të vërtetës, të informohet e të mos konstatojë se KEK-u e paska blerë një aparat 6000 euro, e në bazë të kësaj të kërkojë llogari duke i quajtur keqpërdorime. Llogaridhënia në KEK nuk ka qenë asnjëherë më e mirë. Për këtë flasin edhe raportet e auditimit të jashtëm që nga 7 kualifikime sa kanë qenë para tre vjetësh, tashmë ato në raportin e vitit 2010 janë eliminuar. Kjo e bën KEK-un kompaninë që i përmbush standardet më të larta në krahasim më të gjitha kompanitë tjera dhe që i është vënë fuqishëm ndërtimit të mekanizmave kundër keqpërdorimeve eventuale. Sa i përket ish-ministrit Haki Shatri, të cituar në artikullin në fjalë, KEK i përkujton se ka ndryshuar situata dhe nuk është gjendja si ka qenë në kohën e tij. Në KEK nuk voziten vetura luksoze, por vetura të domosdoshme për terren. Në asnjë vend të botës veturat e blera mesatarisht nga 3000 euro nuk cilësohen luksoze. Sipas të gjitha gjasave ndoshta bëhet fjalë për ndonjë luks për të cilin ka nostalgji z.Shatri nga periudha kur ka qenë në organet mbikëqyrëse të KEK’ut. Është fakt se në kohën kur z. Shatri ka qenë në pozita udhëheqëse në bordin e KEK-ut, gjendja financiare nuk ka qenë aspak e mirë. Por, korporata në vitin 2010 ka operuar me fitim si dhe i është rritur vlera e aseteve të saj, për dallim nga humbjet e konsiderueshme financiare qe ka pasur gjatë periudhës kur për drejtimin e korporatës ishte përkujdesur edhe z. Shatri.