KEK ka nisur edhe një investim të madh në Rrjetin e Shpërndarjes, përkatësisht ndërtimin e trafostacionit Prishtina 7. Kontrata është nënshkruar në mes të KEK-ut dhe kompanisë ABB. “Investimi prej afro 5 milionë eurosh në kryeqytet është i domosdoshëm pasi që Prishtina është zgjeruar jashtëzakonisht shumë, sidomos në pjesën jugore”, tha Arben Gjukaj, Drejtor Menaxhues i KEK-ut. Lagjet si Veterniku, Lagja e Spitalit, Mati I, Hajvalia dhe Çagllavica janë dhjetëfishuar për nga numri i banorëve dhe vendbanimeve dhe tendenca është të zgjerohen edhe më tutje. Në atë pjesë janë edhe miniera e Kishnicës dhe asetet e ndërmarrjes për furnizim me ujë “Prishtina”. Pritet që edhe zona e re industriale të jetë pikërisht në këtë pjesë, përkatësisht përreth QMI-së. Kjo ka bërë që kërkesa për energji elektrike të rritet në shkallë të lartë në këto pjesë. “Korporata në mënyrë që të ecë me trendët e rritjes dhe për të furnizuar konsumatorët në mënyrë sa më kualitative ka vendosur të nisë ndërtimin e  Trafostacioni i ri 110/10(20)kV Prishtina 7 me fuqi instaluese 2x40 MVA. Ky investim vetanak do të zgjidhë problemin e Prishtinës së Re. Përfitues do të jenë edhe spitalet që do të kenë furnizim alternativ për tu përballur me emergjenca. Prishtina 7 do t’i mundësojë KEK-ut të sigurojë linja të veçanta 10(20)kV për konsumatorët industrial, nëse kërkohet”, shtoi Gjukaj. TS i ri do të shkarkojë nga ngarkesa edhe kapacitetet e TS 110/10 kV Prishtina 2, TS 35/10 kV Prishtina II, Prishtina III dhe Badovc. Ndërtimi do të bëhet nga kompania zvicerano- suedeze ABB, e cila ka fituar në tender të hapur. Kjo kompani është ndër konglomeratet industriale më të mëdha botërore në fushën e teknologjisë energjetike dhe ofron siguri të lartë në përfundimin e projektit. “Ky është një investim i qëlluar nga KEK-u. Kompania ABB ka synim kudo që shkon të punojë ngushtë me kompanitë lokale. Këtë do ta bëjmë edhe në Kosovë në mënyrë që kompanitë vendore të përfitojnë shumë nga eksperienca globale e ABB-së”, tha Darko Eisenhuth, drejtor i degës së ABB-së në Kroaci, përgjegjëse për operimet e ABB-së në Ballkan. Projekti i TS Prishtina 7 përbëhet nga pjesët kryesore si në vijim:
  • Zgjerimi i sistemit ekzistues të zbarrave 110 kV nëtrafostacionin Prishtina 4 220/110 kV me dy fusha shtesë të tranaformatorit 110/10(20) kV;
  • Ndërtimi nga ana e KEK-ut e trafostacionit të ri 110/10(20) kV, 2 x 40 MVA.