KEK apelon fuqishëm tek konsumatorët që kanë mundësi të përdorin forma alternative të ngrohjes siç janë lëndët djegëse, ta bëjnë një gjë të tillë sa më parë. Kjo për arsye se kapacitetet prodhuese janë rreth 800 megavatë/orë, importi shkon deri në 250 megavatë/orë gjatë kohës së pikut, ndërsa kërkesa më e lartë tashmë ka arritur në 1100 megavatë/orë, ndërsa pritet të tejkalojë 1200 megavatë/orë me ftohjen e mëtutjeshme të kohës. Kërkesa po rritet krejtësisht si rezultat i përdorimit të energjisë elektrike për ngrohje nga ana e konsumatorëve.
Që nga java e ardhshme KEK do të jetë në gjendje të shpërndajë 1050 megavatë/orë tek konsumatorët, sasi kjo që pritet të zvogëlojë dukshëm reduktimet. Por, sasia e prodhimit është e limituar, sikurse mjetet e ndara për import janë fikse. Në një situatë të tillë, përdorimi i formave alternative të ngrohjes aty ku ka mundësi nga ana e konsumatorëve është i mirëseardhur dhe korporata apelon fuqishëm tek konsumatorët ta bëjnë këtë.
KEK gjithashtu u rikujton konsumatorëve që gjatë muajve të ftohte ka rritje të madhe të vjedhjeve të energjisë elektrike, një pjesë e konsiderueshme e të cilës përdoret për ngrohje. Vjedhjet e energjisë elektrike rrisin humbjet në daljet përkatëse të konsumatorëve dhe kjo ndikon direkt që ata të jenë në kategorinë C, pasi pos nivelit të pagesës si faktor për vendosje në kategorizim është edhe niveli i humbjeve komerciale në secilën dalje.
Në mënyrë që konsumatorët të kenë mundësi ta përmirësojnë kategorizimin në daljen e tyre duke i zvogëluar humbjet komerciale, KEK apelon tek të gjithë që janë në dijeni të ndonjë rasti të vjedhjes së energjisë elektrike ta njoftojnë atë në numrin 038 55 11 00, ose të kontaktojnë përmes postës elektronike contactcenter@kek-energy.com apo në forma tjera. Kohën e fundit disa konsumatorë të ndërgjegjshëm kanë lajmëruar raste të ngjashme. Korporata i falënderon ata dhe i siguron se ka ndërmarr masa të cilat kanë ndikuar direkt në evidentimin e rasteve konkrete të vjedhjeve.