KEK sh.a. shpërndau të enjten 200 pako me dhurata për fëmijët dhe nxënësit e komunës së Obiliqit. Për nxënësit e fshatit “Dardhishtë” të Obiliqit janë ndarë 120 dhurata. Nxënësit e shkollës “Abdurrahman Gërguri” kanë mirëpritur dhuratat e Vitit të Ri. “Ky është një gjest bujar. Faleminderit që jeni kujtuar për këtë dhe që i bëtë nxënësit të buzëqeshin”, tha drejtori i shkollës Xhavit Lani. Nxënësit janë befasuar për të mirë teksa punëtorët e KEK-ut të veshur si babadimër shpërndanin dhuratat. Dardhishtasit e kanë mirëpritur këtë gjest, sikurse kanë pasur fjalë miradije për projektet ambientale që po zhvillon korporata, të cilat përfundimisht do ta minimalizojnë ndotjen, të krijuar gjatë disa dekadave. Pak metra më tutje KEK po e mbulon me dhe kodrën e hirit, ndërsa nën të po e përgatitë për dardhishtasit edhe një fushë sportive. Aty po hiqen edhe shiritat që transportojnë hirin, sepse ai tash e tutje do të derdhet në minierën e Mirashit me anën të sistemit hidraulik, pa asnjë ndotje.
Të njëjtën ditë KEK-u ka shpërndarë edhe 80 pako të dhuratave për fëmijët e çerdhes “Rrita jonë” në Obiliq. Fëmijët kanë filluar të recitojnë dhe janë ndarë shumë të ngazëllyer teksa pranonin dhuratat. Ishte hera e parë që ata i vizitonte babadimri për të cilën edukatorët u kishin mësuar disa vjersha.
Dhuratat e ndara tregojnë miqësinë dhe partneritetin me popullatën që po krijon korporata në ambientet ku operon.