KEK sh.a. sqaron se aktualisht e ka të pamundur të kontrollojë situatën në veri të vendit, përkatësisht përtej lumit Ibër, pjesë e të cilës është edhe Lagja e Doktorëve. KEK nuk ka qasje në atë pjesë dhe nuk po e diskriminon apo favorizon askënd. Këtë e tregon edhe fakti se që nga paslufta nuk u është dërguar nga korporata asnjë faturë dhe nuk është bërë asnjë pagesë edhe pse këta konsumatorë kanë pranuar vazhdimisht shërbime nga korporata.
Konsumatorët ballafaqohen me ndërprerje të kohëpaskohshme të energjisë elektrike sepse gjendja në atë pjesë të vendit e Rrjetit të Shpërndarjes është mjaftë e rëndë. Punëtorët e KEK-ut kanë arritur t’i dërgojnë atje 4 trafo dhe të shpërndajnë disa qindra metra rrjet, duke e rrezikuar edhe jetën e tyre. Por, për shkak të situatës që mbizotëron në atë pjesë, për të cilën është në dijeni i tërë opinioni, ka qenë e pamundur të bëhet më tepër.
Korporata ka bërë të gjitha përgatitjet dhe ka të gatshëm planin e veprimit edhe për pjesën përtej lumit Ibër, që nënkupton trajtim të njëjtë sikurse konsumatorët në pjesët tjera të Kosovës dhe pret shumë shpejt të nisë jetësimin e këtij plani.
Situata energjetike po ndryshon për të mirë, prandaj KEK-u apelon tek të gjithë konsumatorët pa dallim etniciteti që të mos paguajnë faturat dhe të mos u nënshtrohen politikave të kompanive ilegale, sepse ajo energji është dhe ka qenë gjithnjë e KEK-ut dhe korporata do të kërkojë që t’i paguhen shërbimet kur të krijohet qasja.
Sigurisht pas futjes në sistem dhe pagesave, me krijimin e qasjes dhe mundësisë së lirë të operimit KEK do të bëjë edhe investimet e domosdoshme në rrjet, siç po vepron edhe në pjesët tjera të vendit.
Disa gazeta kanë shkruar për ankesën nga Lagja e Doktorëve. KEK kërkon nga të gjitha mediumet që të kontaktojnë edhe me korporatën për secilën çështje, në mënyrë që të respektohen parimet e gazetarisë dhe të del në pah e vërteta e plotë.