Me datë 12.06.2024, si pasojë e dëmtimit të mekanizmit të pajisjeve për ulje dhe ngritje të krahut 1, operatorët e ekskavatorit E- 10B janë obliguar ta ndalin me qëllim të evitimit të ndonjë dëmtimi të përmasave më të mëdha.
Falë angazhimit të jashtëzakonshëm të punonjësve dhe menaxhmentit të DPQ-së, janë identifikuar defektet e paraqitura dhe menjëherë kanë filluar me riparimin e të njëjtave, madje duke përdorur teknika dhe teknologji të pa përdorura më parë, me ç ‘rast edhe është arritur që në kohë optimale të mënjanohen defektet dhe të aftësohet ekskavatori i cili tashmë është në operim dhe në gjendje stabile.
Lidhur me këtë, z. Bekir Gerguri - Kryeshefi Ekzekutivë i KEK sh.a, ka falënderuar të gjithë stafin e DPQ-së, për përkushtimin dhe vullnetin e tyre për arritjen e rikthimit në operim të ekskavatorit E- 10B me sukses, duke inkurajuar ata që të vazhdojnë edhe në të ardhmen me inovacione të tilla të përdorura si në këtë rast, e të cilat ndikojnë pozitivisht në mbarëvajtjen e operimeve ditore dhe sukseset e korporatës.