Nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit mes KEK-ut dhe kompanisë AECOM
Me 22 prill 2015, me një ceremoni rasti u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit mes KEK-ut dhe kompanisë AECOM, si pjese e projektit te financuar nga USAID të quajtur REPOWER, i cili është duke e implementuar projektin energjetik në përkrahje të sektorit të energjisë në Kosovë.
Ky Memorandum, me theks të veçantë, vendosë bazat e bashkëpunimit mes AECOM dhe KEK, në kuptim të përkrahjes që do t’i ofrojë KEK-ut kompania AECOM me kapacitete këshillëdhënëse rreth procesit të ristrukturimit të mëtutjeshëm të Korporatës dhe gjetjes së mundësive financiare për projektet madhore të rehabilitimit, me qëllim të operimit të termocentraleve sipas standardeve të kërkuara.
Ky proces do të realizohet në pajtim me vendimet e Aksionarit ( Qeverise së Republikës së Kosovës) konform obligimeve që dalin nga Strategjia për Energji e Republikës së Kosovës.
Memorandumi u nënshkrua në praninë edhe të përfaqësuesve të misionit të USAID-it në Kosovë. Këta të fundit u shprehën të kënaqur me fillimin e realizimit të projektit për mbështetje të sektorit energjetik në Kosovë, e sidomos me faktin se sot po vendosen bazat e një bashkëpunimi mes AECOM si implementuese e projektit dhe KEK-ut si përfitues i tij.
Nga ana tjetër, Kryesuesi Bordit te KEK-ut, z. Berat Rukiqi, shprehu falënderimin për përkrahjen e vazhdueshme të USAID-it për sektorin e energjisë në Kosovë, në përgjithësi, dhe për KEK-un në veçanti duke konfirmuar njëherësh gatishmërinë për bashkëpunim të mëtutjeshëm në kuadër të projektit REPOWER.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e AECOM-it, falënderuan KEK-un për bashkëpunimin e vendosur dhe konfirmuan zotimin se do te përkrahin KEK-un me të gjitha kapacitetet e veta njerëzore në kuadër të të gjitha fushave të veprimit që do të kërkohet në kuadër të procesit të ristrukturimit të mëtutjeshëm.