Menaxhmenti i KEK-ut, duke mirëkuptuar kërkesën e përfaqësueseve te punëtorëve dhe me synim te përmirësimit te mirëqenies se tyre, por njëkohësisht te vëmendshëm për sfidat dhe vështirësitë financiare të pritshme, ka propozuar dhënien e një bonusi prej 200 eurosh për fundvit dhe rritje të pagave prej 50 eurosh për të gjithë punëtorët, me efekt nga muaji janar 2025.
Në një reagim të shpejtë, Kryesia e SR-KEK, sot gjatë ditës pas shqyrtimit të çështjes me këshillin grevist, ka mirëkuptuar pozitat e menaxhmentit dhe ka vendosur të pajtohet me këtë propozim. Gjithashtu, ata kanë vendosur të ndërpresin çdo aktivitet sindikal të paralajmëruar më parë, duke shfaqur një qëndrim të matur dhe të orientuar drejt stabilitetit dhe zhvillimit të mëtejshëm të korporatës.
Ky është një hap i rëndësishëm për të ruajtur bashkëpunimin midis menaxhmentit të KEK-ut dhe sindikatës, ndërkohë që vazhdojnë përpjekjet për të balancuar sfidat financiare dhe realizimin e projekteve të rëndësishme për sektorin energjetik të Kosovës.