Lidhur me publikimin në disa media për tenderin për rehabilitimin e kullës ftohëse në TC Kosova B
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) njofton opinionin publik se, lidhur me raportimin e datës 14.08.2025 për tenderin e projektit “Rehabilitimi i kullës ftohëse në TC Kosova B”, dëshiron të ofrojë disa sqarime të rëndësishme:
Kontrata ende nuk është nënshkruar. Deri në këtë fazë, është përfunduar vetëm procesi i vlerësimit të ofertave dhe është bërë njoftimi për njoftim të fituesit të tenderit, bazuar në rezultatet e punës së Komisionit profesional të vlerësimit.
Kompania e shpallur fituese është një konzorcium, i cili ka konkurruar në procedurë të hapur të prokurimit publik, së bashku me tre ofertues të tjerë. Të gjitha procedurat janë zhvilluar në përputhje të plotë me Ligjin për Prokurimin Publik (LPP) dhe dokumentacionin e tenderit. Procesi i vlerësimit është kryer nga një Komision i pavarur dhe profesional, i caktuar nga Autoriteti Kontraktues, duke u bazuar në kriteret e paracaktuara në dosjen e tenderit.
KEK Sh.A. nuk ka asnjë ingerencë në përbërjen e brendshme apo marrëdhëniet pronësore të operatorëve ekonomikë, për sa kohë që ato janë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe kanë dorëzuar dokumentacion të rregullt ligjor dhe financiar gjatë procedurës së prokurimit.
Projektet e mëdha, siç është rehabilitimi i kullës ftohëse, kërkojnë kohë për parapërgatitje teknike, ndaj procedurat janë iniciuar me kohë për të siguruar zbatim efikas dhe brenda afateve të planifikuara gjatë vitit 2026.
KEK Sh.A. mbetet e përkushtuar në respektimin e parimeve të transparencës, konkurrencës së drejtë dhe ligjshmërisë në të gjitha proceset e saj të prokurimit dhe do të vazhdojë t’i informojë të gjitha palët e interesuara me korrektësi dhe në përputhje me obligimet ligjore.
Departamenti për Marrëdhënie me Publikun dhe Komunitete