Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin publik se nga ora 15:00, Njësia B1 është rikthyer me sukses në operim dhe aktualisht po funksionon në gjendje të qëndrueshme teknike, në përputhje të plotë me parametrat operacionalë dhe të sigurisë.
Duke pasur parasysh se KEK, në operimin e rregullt, angazhon katër (4) njësi prodhuese, rikthimi i Njësisë B1 nënkupton se KEK po operon me kapacitete të plota prodhuese, duke garantuar stabilitet të prodhimit vendor të energjisë elektrike dhe funksionim të qëndrueshëm të sistemit elektroenergjetik.
Ndalesa e përkohshme e Njësisë B1 ka qenë rezultat i rrjedhjeve të avullit në sistemin e gypave brenda kaldajës, çështje të cilat janë adresuar me sukses përmes ndërhyrjeve profesionale, sanimeve të planifikuara dhe menaxhimit efikas teknik, të realizuara brenda një afati optimal operacional, pa kompromentuar sigurinë dhe integritetin e njësisë.
𝐒𝐪𝐚𝐫𝐢𝐦 𝐩𝐞̈𝐫 𝐨𝐩𝐢𝐧𝐢𝐨𝐧𝐢𝐧 𝐩𝐮𝐛𝐥𝐢𝐤 𝐦𝐛𝐢 𝐩𝐞̈𝐫𝐠𝐣𝐞𝐠𝐣𝐞̈𝐬𝐢𝐭𝐞̈ 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐞𝐤𝐭𝐨𝐫𝐢𝐧 𝐞𝐧𝐞𝐫𝐠𝐣𝐞𝐭𝐢𝐤
KEK sh.a. vlerëson të domosdoshme të rikujtojë opinionin publik se përgjegjësitë në sektorin energjetik në Republikën e Kosovës janë të ndara qartë me legjislacion dhe licenca përkatëse.
Që nga viti 2013, përgjegjësitë e KEK sh.a. përfshijnë ekskluzivisht eksploatimin e thëngjillit, prodhimin e energjisë elektrike dhe termike, në përputhje me mandatin ligjor dhe licencat përkatëse.
Ndërkaq, furnizimi i konsumatorëve të rregulluar me energji elektrike, sipas licencës përkatëse, është përgjegjësi ekskluzive e kompanisë së furnizimit dhe nuk bën pjesë në kompetencat e KEK sh.a.
KEK sh.a. mbetet e përkushtuar për operim të qëndrueshëm, të sigurt dhe transparent, duke garantuar stabilitet të prodhimit vendor, siguri energjetike dhe informim të rregullt, të saktë dhe objektiv të publikut për gjendjen reale operative.