Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin publik se, në përputhje me Bilancin Vjetor Energjetik (BVE) ka filluar zbatimi i remontit të rregullt vjetor 30-ditor i njësisë B2 në Termocentralin KosovaB.
Ky proces është pjesë e planifikimit të rregullt operativ dhe ka për qëllim mirëmbajtjen teknike, rritjen e sigurisë në operim dhe garantimin e funksionimit të qëndrueshëm të njësisë.
Ndërkohë, siç është bërë e ditur edhe më herët, njësia B1 e TC Kosova B i është nënshtruar projekteve madhore të modernizimit, përfshirë ndërtimin e elektrofiltrave dhe sistemit DeNOx, të cilat kanë filluar në muajin prill dhe pritet të përfundojnë në fillim të muajit dhjetor.
Pas përfundimit të këtyre investimeve, pritet të rritet ndjeshëm siguria e operimeve, të zgjatet jetëgjatësia e njësisë për rreth 20 vite dhe, mbi të gjitha, të sigurohet funksionimi në përputhje me standardet më të larta të Bashkimit Evropian në fushën e mbrojtjes së mjedisit.