Duke mbajtur nivelin e stabilizimit të arritur vitin e kaluar, përkundër sfidave të ndërlidhura me jetëgjatësinë e tyre, prodhimi i energjisë elektrike dhe performanca e njësive të Termocentraleve të KEK-ut është duke tejkaluar planin e aprovuar. Në këtë rast, duhet përmendur se Korporata në vitin 2013, për herë të dytë me radhë, ka thyer të gjitha rekordet e prodhimit të energjisë elektrike duke e tejkaluar planin. Përderisa në vitin 2012, në gjeneratorët e dy termocentraleve janë prodhuar 5.85 milionë megavat/orë energji elektrike, që ishte prodhimi më i lartë që nga fillimi punës së tyre, në vitin 2013 janë prodhuar mbi 6 milion MWh energji elektrike. Për më tepër, gjatë vitit 2013 numri i ndaljeve, si dhe koha e mbajtjes jashtë punës, i njësive të Kosovës A dhe B është përgjysmuar, në krahasim me vitet e kaluara.
Në këtë vijë KEK-u, në vazhdimësi, është duke eliminuar të gjitha pengesat potenciale dhe është duke ndërmarrë të gjitha veprimet për prodhim të qëndrueshëm sipas bilancit energjetik, që t’i mundësojë bartësit të licencës të ofrojë një furnizim stabil gjatë periudhës në vijim.
Duke pasur parasysh nevojën e sigurimit të furnizimit të qëndrueshëm, sot në mëngjes, më 07 janar 2014, me qëllim të ndërmarrjes së disa intervenimeve të domosdoshme teknike, është ndalur njësia B1 e Termocentralit “Kosova B”. Për këtë ndalje, konform praktikave standarde të veprimit që zbatohen në raste të tilla, në mënyrë që të mundësojë ndërmarrjen e hapave adekuat nga furnizuesi publik, KEK-u ka informuar KEDS-in para se të ndalet njësia në fjalë dhe atë që mbrëmë më 06 janar 2014. Me këtë rast, pritet, që punët e parapara gjatë kësaj ndalese të kryhen me një dinamikë të shtuar dhe njësia B1 të kthehet në punë sonte gjatë orëve të mbrëmjes.
Në këtë rast, KEK sh.a. falënderon për mirëkuptim, të gjitha palët e ndërlidhura që mund të jenë të afektuara.