Për sqarim të opinionit, duke adresuar pyetjet e pranuara nga disa mediume për prononcimet e gabuara te palëve të interesit rreth faturimit të konsumatorëve fundorë të energjisë elektrike, KEK sqaron se nga data 08 maj 2013 nuk ka licencë të furnizuesit publik apo çfarëdo lloj autorizimi rreth faturimit të konsumatorëve fundorë me energji elektrike.
Në lidhje me këtë faktet janë si në vijim:
· Në bazë të vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 04/36 dhe 03/038, janë finalizuar dy procese të ndryshimeve strukturore që kanë afektuar KEK-un: 1. Ndarja dhe shthurja ligjore e veprimtarisë së shpërndarjes së energjisë elektrike dhe furnizimit publik të KEK-ut nga pjesa e veprimtarive tjera, me ç’rast është krijuar një kompani e re (KEDS) dhe 2. Privatizimi përmes shitjes së aksioneve të KEDS një pronari tjetër (konsorciumi Calik-Limak).
· Si rrjedhim i këtyre vendimeve, nga data 08 maj 2013,KEK-u ka bartur në tërësi afarizmin dhe operimet që kanë të bëjnë me Rrjet dhe Furnizim tek pronari i ri. Këtu përfshihen pos tjerash i tërë stafi që kanë qenë të përfshirë edhe më parë në këtë pjesë të afarizmit, dokumentacioni relevant si dhe bazat e shënimeve.
· Nga data 08 maj 2013, KEK sh.a. ka ne pronësi dhe operon vetëm me mihjet sipërfaqësore për eksploatim te qymyrit si dhe me termocentralet Kosova A dhe Kosova B për prodhim te energjisë, dhe nuk ka asnjë autorizim apo përgjegjësi për furnizim, lexim dhe faturim te konsumatorëve fundor me energji elektrike.
· Për sa i përket operimit aktual te KEK-ut, askush nuk mund ta mohojë faktin se falë investimeve të duhura, menaxhimit efikas dhe falë angazhimit të pashoq të punëtorëve në tërë hallkat e prodhimit, përkundër sfidave te ndërlidhura me jetëgjatësinë e pajisjeve, prodhimi i energjisë elektrike dhe performanca e njësive dhe stabilimenteve, tashmë është dyfishuar. Në këtë rast, nga viti në vit kemi pasur rritje dyshifrore të përqindjes së prodhimit.
Andaj, si edhe deri tani, KEK mirëpret çfarëdo lloj hetimi, i cili do të drejtohej në përcaktimin e saktë të përgjegjësisë individuale dhe do të eliminonte praktiken e fajësimit kolektiv si dhe etiketimeve të pa bazuara publike në adresë të gabuar.