Me qëllim të informimit të drejtë të publikut, KEK sh.a. është i detyruar të reagojë pas spekulimit të plasuar sot, në disa media, rreth ndikimit të pagave të punëtorëve të KEK-ut në çmimin e energjisë elektrike.
Të hyrat e lejuara maksimale dhe Metodologjia e përcaktimit të ngarkesave për energji elektrike të prodhuar nga KEK-u janë aprovuar nga Bordi i ZRRE-së dhe zbatohen nga data 31 mars 2014. Nga kjo datë, çmimet e energjisë elektrike që KEK-u i aplikon ndaj KEDS-it janë në fuqi edhe sot dhe do të zbatohen deri në vendimin e ardhshëm të Bordit të ZRRE-së. Vendimi për rritje te pagave për punëtorët e KEK-ut ka filluar të aplikohet pas kësaj date, me ç’rast nga aspekti buxhetor kjo rritje është mundësuar nga kursimet. Si rrjedhim, rritja e fundit e pagave për punëtorët e KEK sh.a. nuk ka pasur dhe as që ka mundur të ketë ndonjë efekt në rritjen eventuale të çmimit të energjisë elektrike. Vendimi i Zyrës se Rregullatorit, i datës 15 Maj 2014, për të hyrat e lejuara të KEK-ut për vitin 2014 është i njëjtë me vitin paraprak.
Përfundimisht, të hyrat e aprovuara për KEK-un nuk ndikojnë në rritjen e çmimit të energjisë elektrike për vitin 2014.
Andaj, deklaratat e tilla rreth kësaj çështje, nga kushdo qofshin, janë qëllimkëqija dhe plotësisht të pavërteta.