Pas takimit të jashtëzakonshëm të mbajtur, sot më 03 korrik 2014, Bordi i Drejtorëve i Korporatës Energjetike të Kosovës, konfirmon mbështetjen e  plotë për hapat e ndërrmarr nga menaxhmenti për tejkalimin e gjendjes së shkaktuar pas aksidentit në Termocentralin Kosova A. Bordi i Drejtorëve ka mbështetur masat e ndërrmarra në përgatitjen tekniko-teknologjike për rifillimin e punës së njësisë A3, e cila pritet ta fillojë punën deri në fund të kësaj jave. Njëkohësisht, Bordi përkrah hapat  e ndërrmarrur nga menaxhmenti në inicimin e procedurave ligjore për fillimin e menjëhershëm të riparimeve të nevojshme në njësitë A4 dhe A5 të Termocentralit Kosova A . Bordi i Drejtorëve është njoftuar rreth statusit  të gjetjeve të menaxhmentit lidhur me rrethanat që kanë ndikuar në këtë aksident, dhe njëkohësisht ka ripërsëritur mbështetjen e organeve kompetente për të kryer hetim të plotë, me qëllim të përmirësimit të kushteve të punës, cilësisë së shërbimeve ndaj klientëve dhe parandalimin e ndodhive të ngjashme në të ardhmen. Bordi vlerëson se të gjithë akterët e sektorit energjetik duhet të njohin dhe përkrahin veprimet që është duke ndërmarr KEK-u në tejkalimin e situatës emergjente në të cilën gjendemi për sa i përket stabilizimit të gjenerimit të energjisë. Në këtë vijë, kërkohet një mirëkuptim edhe nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, që të  reflektojë në situatën e krijuar dhe të veprojë konform ligjit.