Sot, me 01 shtator 2014, në disa prej medieve të shkruara është komentuar, në mënyrë të pa autorizuar dhe tërësisht jo profesionale, një raport teknik i analizës tekniko teknologjike të avarisë, së datës 06 qershor 2014, në Termocentralin Kosova A. Ky raport është një dokument intern, i cili u dedikohet vetëm pranuesve të tij. Duke qenë i tillë, ky raport është i shkruar duke supozuar se pranuesi i tij është i kualifikuar të kuptojë termet profesionale e teknike që ai i përmbanë.
Për hir të së vërtetës dhe korrektësisë ndaj opinionit, si dhe ruajtjes së dinjitetit të familjarëve të punëtorëve të cilët kanë pësuar në aksident, KEK sh.a. duhet të sqaroj si në vijim.
Fatkeqësisht, në rastin e shkrimeve në fjalë, interpretimi i këtij raporti nuk është i drejtë dhe shpesh nxjerrë, nga konteksti konstatime jo të sakta. Për më tepër, autorët e këtyre shkrimeve ose nuk marrin mundin fare të kërkojnë sqarim zyrtar nga KEK, rreth përmbajtjes se raportit, ose injorojnë sqarimet e dhëna nga KEK dhe nxjerrin konkluzione që nuk qëndrojnë.
Komisioni, që ka hartuar raportin në fjalë, është formuar me qëllim të analizës nga aspekti profesional dhe teknik i avarisë që ka ndodhur me 06 Qershor 2014, në repartin e elektrolizës.
Detyra e komisionit të përmendur ka qenë analizimi i të gjitha operimeve dhe analizimi i opsioneve të mundshme të cilat kanë mund të sjellin deri tek kjo avari, duke u bazuar në dokumentacionin dhe informatat që ishin në dispozicion dhe në të cilat mund të kishte qasje dhe duke ofruar supozime profesionale të përafërta në aspektin tekniko-operativ, por të cilat duhet të vërtetohen me prova faktike.
Për hir të së vërtetës, në zonën ku ka ndodhur aksidenti, janë ende duke u zhvilluar hetimet nga organet relevante shtetërore. Prandaj tërë perimetri i asaj zone vazhdon të jetë i rrethuar dhe nën kontroll të plotë të Policisë së Kosovës, që do të thotë, KEK-u ende nuk ka qasje në pajisjet dhe shënimet të cilat ndodhen aty. Si rrjedhim, pa u analizuar i gjithë materiali dhe të gjitha provat e mundshme nga vend ngjarja nuk ka bazë për identifikimin e shkaktarëve të vërtetë, gjë të cilën e konstaton edhe komisioni në raport.
Në raportin në fjalë, mund të shihet se nga aspekti shkencor, termi “kontaminim” nënkupton gjendjen e krijimit të kushteve se kur mund të vijë deri te eksplodimi i hidrogjenit. Si rrjedhim, komisioni vetëm ofron një supozim të mundshëm se shpërthimi i hidrogjenit në rezervuare, ka mundur të vijë si rrjedhoje e ndonjë defekti teknik në sistemin e elektrolizës si repart në tërësi. Në këtë rast, komisioni nuk konstaton se kjo ka ndodhur ekskluzivisht nga elektrolizeri (gjeneratori i hidrogjenit), që është vetëm një nga pajisjet e impiantit të elektrolizës, të cilit i referohet komisioni në këtë supozim.
Ndërlidhja e humbjes se hidrogjenit në njësisë A4 me datën 05.06.2014 me shpërthimin në impiantin e elektrolizës është shtrembërim dhe keqinterpretimi i fakteve, pasi që raporti në fjalë e fakton të kundërtën e këtij pretendimi.
Duke pasur parasysh rëndësinë që ka, si edhe të gjitha repartet vitale të KEK-ut, zona e TCA është objekt i inspektimeve nga palët e jashtme të sigurisë ( si KFOR, FSK, Agjensioni Menaxhimit te Emergjencave). Me këtë rast, siç dëshmohet nga raportet e dokumentuara të inspektimeve të tyre, në objektet e zonës ku ndodhi aksidenti në fjalë, KEK-u kishte ndërmarr, si dhe kishte respektuar me përpikëri, të gjitha rekomandimet rreth masave preventive të sigurisë në punë, fakt ky, që nuk përmendet askund në shkrimet në fjalë.
Duke pasur si një nga objektivat kryesore transparencën, llogaridhënien dhe përcaktimin e saktëtë përgjegjësisë individuale, KEK mirëpret dhe do të adresojë çfarëdo lloj brenge rreth lëshimeve në punë, posaçërisht, kur janë në pyetje siguria dhe shëndeti i punëtorëve të tij.
Andaj, në këtë rast presim nga kushdo qoftë që ka ndonjë dëshmi rreth çfarëdo lloj dyshimi tëbazuar në fakte e jo hamendje apo paragjykime, t’i adresojë ato tek organet relevante dhe t’i ndërpresin praktikat e fajësimit kolektiv si dhe etiketimeve të pa bazuara publike.
Me këtë rast shfrytëzojmë rastin t’i falënderojmë të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare, për përkrahjen e ofruar deri me tani në tejkalimin e gjendjes, duke e rikonfirmuar gatishmërinë dhe përkushtimin e KEK-ut në kryerjen e misionit të tij dhe ofrimin e përkrahjes së plotë dhe të vazhdueshme që procesi i hetimit të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe shkaqet e aksidentit të gjinden sa më parë që të jetë e mundur.