KEK sh.a. njofton se si pasojë e erërave të forta që kanë fryrë gjatë ditës dhe mbrëmjes së djeshme janë shkaktuar dhjetëra prishje në vend. Më i prekuri mbetet rajoni i Dukagjinit, përkatësisht Qytetet e Pejës,Gjakovës dhe Deçanit. Impakt të fortë erërat e forta kanë pasur edhe në Komunën e Podujevës ku kanë qenë jashtë pune tetë dalje. Deri në orët e sotme të pasdites janë sanuar shumica e prishjeve, ndërsa ekipet e korporatës janë mobilizuar dhe po punojnë në komunën e Gjakovës dhe Deçanit. Korporata i siguron konsumatorët se ekipet e mirëmbajtjes po bëjnë maksimumin që konsumatorëve t’u kthehet sa më shpejtë të jetë e mundur furnizimi me energji elektrike.
Deri në orën 15 në prishje mbesin disa prishje, prej tyre janë 9 dalje 10 kV (kilovolt) në Distriktin e Pejës, duke përfshirë edhe linjën 110 kV (kilovolt) Deçani që është aset i KOSTT-it, në Distriktin e Prishtinës 2 dalje, në Distriktin e Gjakovës 6 dalje duke përfshirë edhe një dalje 35 kV, në Distriktin e Mitrovicës 2 dalje dhe në Distriktin e Prizrenit 1 dalje.