KEK sh.a. siguron të gjithë konsumatorët se ka përkujdesje maksimale ndaj tyre. Në vazhdën e saj korporata vite më parë ka ndërtuar dy mekanizma që mbrojnë direkt konsumatorët- Departamentin për përkujdesje ndaj konsumatorëve, që merret direkt me secilën ankesë të konsumatorëve në tërë territorin e vendit dhe Matjen e përformancës për punëtorët e Distrikteve, ku secili gabim i qëllimshëm ndëshkohet. Deri tash dhjetëra punëtorëve u është shkëputur kontrata u janë dhënë vërejtje dhe vërejtje te fundit, të cilat dërgojnë në shkëputje të kontratës.
Në lidhje me përformancën, në bazë të udhëzimit të Bordit të Drejtorëve, menaxhmenti i KEK-ut ka vazhduar me vlerësimin e rregullt mujor për përformancën e punëmarrësve për leximin dhe faturimin për periudhën e fundit dhe ka ndërmarrë masat përkatëse në bazë të Rregullores për Distrikte dhe Kodit Disiplinor. Si rezultat i këtij vlerësimi kemi 6 shkëputje të kontratës, 25 vërejtje të fundit me shkrim dhe 81 vërejtje me shkrim.
Këto masa disiplinore përfshijnë nivelin e lartë menaxherial në distriktet përkatëse, si dhe nivelin e mesëm menaxherial, duke filluar nga koordinatorët e nëndistrikteve, udhëheqësit e grupit dhe specialistët e daljeve. KEK siguron konsumatorët se masat disiplinore do të vazhdojnë të ndërmerren në vazhdimësi si rezultat i të gjeturave të cilat do të dalin nga raportet dhe vlerësimet e marra në terren.
KEK siguron të gjithë konsumatorët se në rastet e lëshimeve eventuale njerëzore dhe teknike të bëra nga shërbimi i leximit dhe faturimit, të cilat ndikojnë në vlerën e faturës, rastet e tilla korrigjohen në mënyrë sistematike dhe të drejtpërdrejtë në ciklin pasues të leximit, pavarësisht nëse është bërë ankesë formale apo jo. Pra, edhe në rast të ndonjë gabimi të paevidentuar, konsumatori përfundimisht do te paguaj për energjinë që shpenzon dhe që është e regjistruar ne njehsorët e tyre.
Pos transparencës së plotë ndaj konsumatorëve, KEK ka vazhduar dhënien e përgjegjësisë edhe në shkallët hierarkike. Menaxhmenti i korporatës i ka dhënë llogari Bordit të Drejtorëve të KEK-ut, duke implementuar në detaje udhëzimet e Bordit, prej nga ka dal se: Hetimet dhe shqyrtimet e deritanishme siç janë përkrahur edhe nga Bordi, kanë nxjerrë përfundimin se të gjitha veprimet e KEK-ut të ndërmarra gjatë muajit janar për leximin dhe faturimin e energjisë elektrike, nuk dallojnë nga muajt paraprak dhe janë në përputhje me legjislacionin sekondar të aprovuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë që rregullon këtë fushë.
Për më tepër, letrat dhe raportet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë të datës 12 dhe 14 shkurt 2013, si institucioni i vetëm përgjegjës për mbikëqyrjen dhe gjykimin e veprimeve të KEK-ut, në hetimet e tyre të kësaj çështje nuk kanë faktuar ndonjë mangësi serioze në faturimin e KEK-ut.
Rreth situatës së krijuar, është angazhuar edhe Zyra e Auditimit të Brendshëm për hetimin e hollësishëm të kësaj çështje.
KEK-u nuk ka ndërmarr në asnjë rast veprime të shkyçjeve të konsumatorëve ankues për borxhin e krijuar nga faturat e muajit janar, por vetëm për borxhet paraprake. Kjo qasje është ende në fuqi, dhe menaxhmenti do të vazhdojë të respektojë udhëzimin e Bordit që të vazhdohet me këtë qasje deri në trajtimin e atyre ankesave nga KEK-u dhe ZRrE.
Në lidhje me ankesat e shprehura nga konsumatorët, menaxhmenti i KEK-ut ka rritur resurset njerëzore dhe është duket trajtuar secilin raste veç e veç sipas procedurave në fuqi.
Përfundimisht, me qellim të ngritjes se mëtejme të nivelit të përkujdesit ndaj konsumatorëve, KEK sh.a. bën apel tek të gjithë konsumatorët që të ofrojnë qasjen dhe bashkëpunimin me punëtoret e korporatës gjate ciklit aktual te leximit që është duke u zhvilluar këto dite. Në këtë rast në mënyre që mos të ballafaqohen me shkyçje, ftohen të gjithë konsumatorët që kanë obligime ndaj KEK sh.a i cili nuk është subjekt i ankesës formale, t’i paguajnë ato.
Pagesa e faturave të energjisë elektrike ndihmon dhe mbështet përpjekjet e KEK-ut për vazhduar edhe më tutje me furnizim të mirë dhe cilësor të energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës.