Komandanti i përgjithshëm i forcave të KFOR-it në Kosovë, z. Volker Halbauer, sot më  2 prill 2013, vizitoi termocentralin “Kosova A”. Ai është pritur nga Drejtori Menaxhues i KEK-ut, z. Arben Gjukaj si dhe menaxhmenti i KEK-ut. Komandanti i KFOR-it z. Halbauer u informua nga z. Gjukaj me gjendjen, rezultatet e arritura dhe proceset nëpër të cilat po kalon KEK-u . “Me njësitë të njëjta gjeneruese, KEK-u, ka rritur prodhimin në vitet e fundit, vazhdimisht me 5 deri në 10 për qind çdo vit. Kjo është arritur falë angazhimit maksimal të punëtorëve të korporatës dhe investime qenësore në asetet kyçe. Jemi të përkushtuar që të rrisim prodhimin në kapacitetet e dizajnuara në të gjitha blloqet”, tha z. Gjukaj. Ai e ka informuar komandantin në lidhje me investimet të cilat po bëhen në projektet ambientale siç është ndërrimi i elektrofiltrave të njësive të Termocentralit “Kosova A”, të cilat po realizohen me mjetet vetanake të KEK-ut si dhe përkrahjes së vazhdueshme të Bankës Botërore dhe Mbretërisë Holandeze. Pas përfundimit të këtij projekti, emisionet e grimcave të pluhurit do të jenë brenda standardeve të lejuara për Kosovën. “Pos kësaj, po e zëvendësojmë transportin e hirit fluturues nga shiritat e hapur në sistem hidraulik nga “Kosova A”, sikurse kemi mbuluar kodrat e hirit me dhe, dhe kemi eliminuar substancat e rrezikshme. Pra, kemi punuar në eliminimin e katër shkaktarëve kryesor të ndotjes së ambientit nga KEK-u”, shtoi z. Gjukaj. Komandanti i KFOR-it, Gjenerali Halbauer së bashku me ekipin e tij u ndanë mjaftë të kënaqur për punën të cilën po e bën menaxhmenti i KEK-ut duke cekur se përkundër shume vështirësive me të cilat ballafaqohet KEK-u, rezultatet nuk mungojnë. Ai njëherësh falënderoi dhe përgëzoi menaxhmentin veçanërisht për rezultatet e arritura në prodhim si dhe furnizim stabil me energji elektrike, që është bazë për zhvillimin ekonomik të vendit. Ai shprehu mbështetjen e tij të plotë për proceset në të cilat po kalon korporata. “Gjithashtu jam i bindur se procesi i privatizimit do të kryhet në mënyrën më të mirë të mundshme, në mënyrë që sektori energjetik i Kosovës të avancohet më tej”, shtoi z. Halbauer.