Korporata Energjetike e Kosovës është e  vetëdijshme për ndotjen që shkaktohet  nga termocentralet prej linjiti, por veprimet e fundit të korporatës duhet të përshëndeten nga komuniteti. KEK kishte trashëguar pajisje që për 50 vjet kishin shkaktuar ndotje. Ishin identifikuar 4 faktorë ndotës dhe KEK-u është duke investuar ka nisur investimet ne eliminimin apo minimalizimin e ndotjes nga të katër ndotësit.  Pas 50 vjetëve operimi, ndotësi me i madh i identifikuar, termocentrali “Kosova A” sot  operon në një frymë tjetër, atë ambientale. Tashme janë vendosur elektrofiltrat e rinj për njësite A3 dhe A5, ndërsa gjatë këtyre ditëve do të nisë edhe ndërrimi i elektrofiltrit për njësinë A4. Pra, qysh këto ditë TC "Kosova A" do të jetë 15- fish më miqësore ndaj ambientit se me herët. Kjo, sepse njësia A4 nuk do të ndizet deri në momentin e ndërrimit të elektrofiltrit që do të përfundojë gjatë verës, ndërsa dy njësite tjera emetojne brenda standardeve mjedisore. Pos eletrofiltrave, KEK është duke e përfunduar edhe sistemin hidraulik të bartjes së hirit nga TC “Kosova A” drejt minierës së Mirashit. Ky projekt kap një kosto prej 8.7 milionë eurosh, ku 1 milion euro janë financim nga  Banka Botërore ndërsa pjesa tjetër prej 7.7 milionë eurosh para të KEK-ut. Ky projekt do të përfundojë sivjet ndërsa ndotja si pasoje e kalimit nga sistemi me shirita të hapur në sistemin hidraulik do të jetë zero. KEK kohë më parë ka nisur edhe Projektin për Pastrimin dhe Rikultivimin e Tokave  (PPRT) i financuar nga Banka Botërore/Qeveria Holandeze dhe KEK-u. Tashmë pjesa më e madhe e Kodrës së Hirit pranë TC “Kosova A” është mbuluar me dhe, ndërsa do të mbulohet krejtësisht deri në fillim të vitit të ardhshëm. Edhe në këtë projekt ndotja nga hiri do të eliminohet. Duhet të theksohet se KEK-u është e para dhe e vetmja kompani që i rikultivon tokat duke i kthyer ato në gjendjen e mëparshme. KEK tashmë ka implementuar edhe projektin për asgjësimin e mbi 20 mijë tonelatave të rrezikshme që gjendeshin në ish-Gazifikim. Pjesa më e madhe e tyre janë asgjësuar, ndërsa një pjesë tjetër janë vendosur dhe izoluar në pajisje të sigurta, prej nga po transportohen jashtë vendit për trajtim të mëtutjeshëm,pra në vendet e BE-së. Paralelisht me këtë KEK ka nisur edhe mbjelljen e fidanëve në deponitë e djerrinave dhe tashmë janë mbjell mbi 150 mijë fidanë. Deri në fund të vitit do të mbillen po aq për të kompletuar numrin prej 300 mijë fidanëve që duhet mbjell. Të gjitha këto projekte kapin shumën e investimeve prej 50 milionë eurosh dhe e bëjnë KEK-un lider në investimet ambientale në nivel vendi. Me përfundimin e këtyre projekteve korporata do të synojë eliminimin e ndotjes së grumbulluar përgjatë një shekulli të punës dhe eksploatimit në këto hapësira si dhe do të vazhdojë të operojë shumë më pastër.