Drejtori i KEK-ut, z. Arben Gjukaj i ka uruar shërim dhe kthim sa më të shpejtë në vendin e punës punëtorit të korporatës, z. Veli Spahiut, i cili ndodhet i shtrirë në spital. “Uroj që ky të jetë sulmi i fundit ndaj punëtorëve si ti, që kryejnë vetëm detyrat zyrtare. Për çfarëdo që ju nevojitet ju do të më keni në krah edhe mua, edhe krejt menaxhmentin e KEK-ut”, tha z.Gjukaj. Specialisti i Daljes, z. Spahiu ishte sulmuar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare nga konsumatorët e pandërgjegjshëm. Rasti kishte ndodhur pasi z. Spahiu kishte shkuar tek konsumatori Bekim Dervish Rexhepi në fshatin Celinë të Rahovecit për verifikim të gjendjes së njehsorit. Punëtori i korporatës pasi e ka thirrur konsumatorin që të marrëlejen që të bëjë verifikimin e njehsorit është sulmuar fizikisht nga konsumatori dhe dy vëllezërit e tij, me ç’rast ka pësuar lëndime në kokë. Në lidhje me këtë sa për ilustrim, gjatë vizitës ai citohet të ketë thëne se pas lëndimeve të marra i ka humbur vetëdija dhe nuk e di se çka ka ndodhur më tutje me të. Z. Spahiu ishte dërguar në Spitalin e Rahovecit ku mori ndihmën e parë mjekësore dhe nga u dërgua me emergjencë në Spitalin Regjional në Gjakovë për trajtim të mëtutjeshëm.
Gjatë vizitës, z. Gjukaj e ka siguruar punëtorin e sulmuar dhe të gjithë punëtorët tjerë se e kanë mbështetjen e fuqishme të menaxhmentit të KEK-ut.
“ Punëtorët si Veliu i duhen KEK-ut. Ata kanë kontribuar në stabilitetin e KEK-ut prej të cilit kanë përfituar të gjithë qytetarët e vendit duke pasur furnizim shumë stabil me energji elektrike. Menaxhmenti i KEK-ut nuk do të tolerojë më rastet e tilla dhe fton organet e rendit dhe të drejtësisë që të merren më seriozisht me to. Nuk mund të avancohet puna në korporatë nëse punëtori nuk është i sigurt që gjatë kryerjes së detyrës nuk do të përfundojë me kokë të lënduar.
Njëherit Z. Gjukaj falënderoi Policinë e Kosovës për arrestimin e personit i cili ka kryer këtë akt vandal duke i shkaktuar lëndime serioze puntorit të Korporatës.
Javëve të fundit është rritur ndjeshëm numri i sulmeve ndaj punëtorëve të KEK-ut në detyrë, ku janë sulmuar nga konsumatorë të papërgjegjshëm dhjetëra punëtorë anekënd vendit. Këto akte janë të papranueshme dhe e dëmtojnë rëndë punën e korporatës. Ata që bëjnë akte kriminale e kanë vendin në burg, sikurse secili qytetar aktiv i kësaj shoqërie e ka obligim dhe duhet të luajë rol konstruktiv dhe distancues e denoncues nga individët keqbërës, të cilët janë duke kryer këto vepra kriminale.