Një delegacion i larte i Bankës Botërore i udhëhequr nga z. Gino Alzetta, Drejtor Ekzekutiv qe përfaqëson Kosovën ne konstituencen e Bankës Botërore, më 22 maj 2013, vizitoi KEK-un.
Me ketë rast ai vizitoi termocentralin “Kosova A”, mihjen sipërfaqësore Sibovci Jug-Perëndim dhe termocentralin Kosova B, Gjate kësaj vizite, delegacioni u prit dhe u shoqërua nga Drejtori Menaxhues i KEK-ut, z. Arben Gjukaj si dhe menaxhmenti i KEK-ut.
Delegacioni i Bankës Botërore u informua nga z. Gjukaj me gjendjen, rezultatet e arritura dhe proceset nëpër të cilat po kalon KEK-u .
“Me njësitë të njëjta gjeneruese, KEK-u, ka rritur prodhimin në vitet e fundit, vazhdimisht me 5 deri në 10 për qind çdo vit. Kjo është arritur falë angazhimit maksimal të punëtorëve në tërë hallkat e prodhimit, duke filluar nga prodhimi i qymyrit e deri tek termocentralet, si dhe investimeve qenësore në asetet kyçe. Jemi të përkushtuar që të rrisim prodhimin në kapacitetet e dizajnuara në të gjitha blloqet”, tha z. Gjukaj. Delegacioni u informua gjithashtu se në vitin 2012 në gjeneratorët e dy termocentraleve janë prodhuar 5.847 milionë megavatë/orë energji elektrike, apo rreth 200 mijë megavatë/orë më tepër se në vitin 1988 kur ishte arritur prodhimi më i madh para luftë.
Delegacioni u informua gjithashtu edhe në lidhje me investimet të cilat po bëhen në projektet ambientale siç është ndërrimi i elektro-filtrave të njësive të Termocentralit “Kosova A”, të cilat po realizohen me mjetet vetanake të KEK-ut si dhe përkrahjes së vazhdueshme të Bankës Botërore dhe Mbretërisë Holandeze. Ne lidhje me ketë z/ Gjukaj falënderoi Bankën Botërore dhe Qeverinë Holandeze për përkrahje te vazhdueshme. Pas përfundimit të këtij projekti, emisionet e grimcave të pluhurit do të jenë brenda standardeve të lejuara për Kosovën. “Pos kësaj, po e zëvendësojmë transportin e hirit fluturues nga shiritat e hapur në sistem hidraulik nga “Kosova A”, sikurse jemi duke ri-kultivuar kodrat e hirit dhe jemi duke eliminuar substancat e rrezikshme. Pra, kemi punuar në eliminimin e katër shkaktarëve kryesor të ndotjes së ambientit nga KEK-u”, shtoi z. Gjukaj.
Drejtori Ekzekutiv i Bankës Botërore,z. Alzetta u nda mjaftë i kënaqur për punën të cilën po e bën menaxhmenti i KEK-ut duke cekur se përkundër shume vështirësive me të cilat ballafaqohet KEK-u, rezultatet nuk mungojnë. Ai njëherësh falënderoi dhe përgëzoi menaxhmentin veçanërisht për rezultatet e arritura në prodhim si dhe furnizim stabil me energji elektrike, që është bazë për zhvillimin ekonomik të vendit.
Ai shprehu mbështetjen e tij të plotë për proceset në të cilat po kalon sektori energjisë ne Kosove. “Gjithashtu jam i bindur se përkundër kundërshtimeve qe vijnë nga disa keqkuptime procesi i ndërtimit te termocentralit te ri do të kryhet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe brenda afatit, në mënyrë që sektori energjetik i Kosovës të avancohet më tej”, shtoi z. Alzetta.