KEK sh.a. sqaron se informata e emetuar dhe botuar në formë video dhe teksti në agjencinë “Kosovapress” me titull “KEK-u “shpërblen” konsumatorët me shtrenjtim të energjisë elektrike” përmban në vete pasaktësi që e dezinformojnë opinionin.
KEK-u dëshiron të qartësojë dhe ta informojë publikun dhe konsumatorët e Kompanisë, se korporata jo vetëm që nuk ka vendosur rreth rritjes apo caktimit të çmimeve te energjisë elektrike, por as nuk e ka mandatin të vendosë për këtë çështje.
Korniza ligjore e cila është në fuqi për sektorin e energjisë elektriket e ka ngarkuar Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), si autoritet i pavarur, që të vendosë për çmimet e rregulluara në Sektorin e energjisë.
KEK-u është i obliguar që të paraqesë tek ZRrE shpenzimet operative dhe shpenzimet kapitale.
Zyra e Rregullatorit te Energjisë është organ i pavarur që vendosë rreth çmimeve të energjisë në sektorin energjetik në Kosovë. ZRrE çdo vit e dërgon ftesën për të hyrat e lejuara, por këtë vit ende nuk është dërguar ftesa. Me t’u dërguar kjo ftesë KEK-u aplikon tek ZRrE siç e ka edhe obligim për të hyrat e lejuara. Në këtë fazë KEK është duke analizuar të dhënat energjetike dhe financiare pasi që aplikimi është subjekt i analizave komplekse dhe finalizimi bëhet në bazë të formulave të sakta matematikore të përcaktuara nga ZRrE-ja për këtë proces.
Prandaj, informata e lansuar nga Kosovapressi është spekulim.
Kjo informatë është publikuar edhe nga mediume të tjera. Në një situatë të tillë KEK kërkon nga të gjitha mediumet që çdo informate që ka të bëjë me korporatën nga kjo agjenci të verifikohet edhe tek Zyra për Komunikime në KEK në mënyrë që të verifikohen informatat sepse në vazhdimësi ka spekulime nga ana e kësaj agjencie në storjet që kanë të bëjnë me korporatën.