KEK sh.a. sqaron se konstatimet kuturu të disa OJQ-ve kosovare në lidhje me aplikimin tarifor për vitin 2012 janë tërësisht të pabazuara dhe nuk përkojnë fare me realitetin. Ato janë bërë pa asnjë analizë dhe pa u konsultuar fare me të dhënat zyrtare apo pa kalkuluar të dhënat që nxjerrin raporte profesionale. Korporata sqaron se ka bërë aplikimin tarifor në përputhje të plotë me metodologjinë tarifore të ZRRE-së, çka e ka edhe obligim ligjor. Konstatimet se gjoja KEK-u po faturuaka konsumatorët për dështimet e veta pos që nuk qëndrojnë, janë edhe fyese për punëtorët e korporatës. Nuk mund të quhen dështakë ata punëtorë që po e kryejnë punën e tyre në acarin më të madh në tri dekadat e fundit. Pra, ata kanë arritur të mbajnë sistemin funksional dhe t’i mbajnë vazhdimisht 4 blloqe në sistem duke luftuar vazhdimisht me kushtet e rënda natyrore. Në kërkesën e vet për rritjen e tarifave, KEK-u nuk ka paraparë asnjë rritje të shpenzimeve. Kërkesa për rritje vije prej Bazës së Rregulluar të Aseteve nga Metodologjia e re tarifore e miratuar nga ZRRE dhe të obligueshme për KEK-un. Kjo nënkupton se asetet që nuk janë njohur prej ZRRE-së nga viti 2006, tashmë njihen dhe krijojnë kosto obliguese për KEK-un prej rreth 25 milionë eurove. Konstatimi tjetër se KEK-u qenka duke dështuar në luftën ndaj humbjeve sërish është i paqëndrueshëm. Vetëm gjatë katër vjetëve të fundit, humbjet janë zvogëluar më 11 për qind dhe edhe në aplikimin tarifor parashihet zvogëlimi i mëtutjeshëm i tyre. Zvogëlimi i humbjeve vazhdon. Vetëm gjatë muajit janar 2012 humbjet janë zvogëluar për 6 për qind me periudhën e njëjtë të vitit 2011. Organizatat konstatojnë se kërkesa për rritje nuk reflekton me çmimet e prodhimit. As ky konstatim nuk qëndron, sepse energjia që u shpërndahet konsumatorëve të amvisërisë aktualisht nuk mbulon as 70 për qind të kostos. Sa i përket revitalizimit të mundshëm të njësisë A2, ky është opsioni i vetëm për vendin, sepse e rritë sigurinë e furnizimit me energji elektrike, është shumë i arsyeshëm si teknikisht, ashtu edhe ekonomikisht deri në komisionimin e kapaciteteve të reja gjeneruese për të mbuluar kërkesën që është në rritje të vazhdueshme. Pra, sërish konstatimet e OJQ-ve janë kundërthënëse dhe jologjike. Nëse kjo njësi do të revitalizohej, atëherë kostoja e prodhimit do të ishte shumë më e ulët, varësia nga importi do të zvogëlohej në minimum dhe do të ruheshin tarifat në nivel social siç janë tani. OJQ-ve shihet qartë se nuk u intereson zvogëlimi i kostos, por vetëm hedhja e kritikave të pabaza, duke dal hapur kundër prodhimit vendor. Nëse njësia A2 do të revitalizohej, KEK-u ka bërë të qartë se emisioni do të ishte brenda standardeve të Bashkimit Evropian, ashtu siç do të jetë emetimi edhe për tri njësitë tjera ekzistuese. Aty përmendet qëndrimi i Komisionit Evropian, por nuk përmendet fakti se disa vende të Bashkimit Evropian janë duke revitalizuar dhjetëra blloqe të njëjta me të TC “Kosova A”. Për fund, KEK sh.a. fton të gjitha palët e interesuara për aplikimin tarifor të vijnë në korporatë ku do t’u shpjegohej në detaje ky aplikim dhe të nxjerrin konkludime në bazë të të dhënave reale, e jo të dalin me konstatime si u teket atyre.