Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar z. Pieter Feith ka vizituar të enjten KEK-un. Ai është pritur nga Drejtori Menaxhues i KEK-ut, z. Arben Gjukaj.
Gjatë vizitës së bërë në miniera dhe termocentralet Kosova A dhe Kosova B, z. Feith është ndarë mjaft i kënaqur me të arriturat. “Po shoh një profesionalizëm të lartë brenda KEK-ut. Kjo korporatë po menaxhohet si duhet dhe ky fakt më gëzon jashtëzakonisht shumë. Ju uroj të ecni përpara ashtu si keni bërë deri tash”, tha z. Feith. Ai ka vërejtur gërshetimin në mes të përvojës së punëtorëve të vjetër dhe entuziazmit të punëtorëve të rinj.
Drejtori Menaxhues i KEK-ut i ka informuar udhëheqësit e ICO-së në lidhje me gjendjen aktuale të KEK-ut, projektet në implementim dhe planet për të ardhmen. “KEK-u ka rritur të hyrat dhe sot është kompani e stabilizuar financiarisht. Rritja e inkasimit na ka krijuar parakushtet që të orientohemi në projektet ambientale dhe të zvogëlojmë në maksimum ndotjen. Elektrofiltri i njësisë A5 do të fillojë të ndrrohet këto ditë, ndërsa menjëherë do të nisë edhe ndërrimi i elektrofiltrave të blloqeve A3 dhe A4. Emisioni i tyre do të jetë brenda standardeve të Bashkimit Evropian”, tha z. Gjukaj.
Gjatë vizitës për në miniera z. Feith ka parë për se afërmi edhe gypat e vendosur tashmë për bartjen hidraulike të hirit që i zëvendësojnë transportin me shirita të hapur, ku ndotja do të eliminohet krejtësisht. “I shihni kodrat e hirit, edhe ato tashmë janë mbuluar me dhe, pra nuk ka më ndotje. Në të gjitha këto projekte ambientale KEK-u po investon rreth 50 milionë euro”, tha Gjukaj.
Delegacioni i ICO-së është ndarë mjaft i kënaqur edhe me gjendjen në miniera ku është siguruar stabilitet afatgjatë i furnizimit me qymyr dhe me gjendjen e termocentraleve.