Komisioni i Kuvendit të Kosovës për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, në krye me Kryetarin e Komisionit z. Nait Hasan ka vizituar të premten KEK-un. Komisioni i Kuvendit është pritur nga Drejtori Menaxhues i KEK-ut, z. Arben Gjukaj. Deputetët janë interesuar në hollësi për projektet ambientale të korporatës dhe gjendjen e sistemit energjetik. “Nga të gjitha analizat që ishin bërë më herët rreth ambientit ishin identifikuar katër ndotës të ambientit si Deponia e hirit pranë TC “Kosova A”, transporti me shirita të hapur i hirit nga ky termocentral, mbetjet e substancave të rrezikshme nga ish-Azotiku dhe tymtarët e TC Kosova A. KEK po investon në eliminimin e të katër këtyre ndotësve mbi 47 milionë euro”, tha Z. Gjukaj. Ai i ka njoftuar deputetët se tashmë kodra e hirit është mbuluar me dhe duke mos gjeneruar më ndotje. Konkretisht është punuar edhe në projektet tjera. “Mbi 20 mijë tonë substanca të rrezikshme janë eliminuar, janë mbjell mbi 150 mijë fidane në deponitë e djerrinës dhe po aq do të mbillen sivjet, sistemi hidraulik i bartjes së hirit që do të përfundojë deri në qershor do të eleminojë krejtësisht ndotjen gjatë bartjes së hirit nga TC Kosova A, sikurse gjatë këtij muaji do të fillojë edhe ndërrimi i elektrofiltrave të këtij termocentrali duke ulur emisionin brenda standardeve të Bashkimit Evropian”, tha z. Gjukaj. Deputetët janë ndarë të kënaqur me punën që po bëhet. “Këto projekte janë inkurajuese dhe ndikojnë direkt në zvogëlimin e ndotjes. Ju inkurajoj të vazhdoni tutje me projekte të tilla në mënyrë që ambienti të jetë shumë më i pastër”, tha z. Hasani. Deputetët kanë vizituar edhe ambientet e termocentraleve ku janë njoftuar për së afërmi me punën dhe përformancën e tyre.