Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian për Kosovën, z. Samuel Žbogar vizitoi të mërkurën KEK-un. Ai është pritur nga Drejtori Menaxhues i KEK-ut, z. Arben Gjukaj. Gjatë vizitës së tij, z. Žbogar ka parë për së afërmi zhvillimet në sektorin energjetik dhe është informuar në detaje për lëvizjet në këtë sektor. “ U impresionova nga përpjekjet e KEK-ut dhe punëtorëve të kësaj kompanie për të siguruar furnizim me energji elektrike në mënyrë të qëndrueshme. Kjo sigurisht nuk është një detyrë e lehtë dhe ka ende hapësirë të madhe për investime. Në mesin e tyre përfshihen edhe çështjet ambientale që të arrihet emisioni brenda standardeve të BE-së deri në vitin 2017. Çështje tjetër e rëndësishme është edhe ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike sa më shpejtë të jetë e mundur”, tha z. Žbogar. Gjukaj e ka njoftuar z. Sbogar në lidhje me performancën e KEK-ut dhe projektet ambientale të korporatës. "KEK ka rritje të madhe duke dyfishuar inkasimin gjatë katër vjetëve të fundit, ka rritur prodhimin me 5-10 për qind çdo vit, sikurse ka stabiluzuar furnizimin me qymyr", tha z. Gjukaj. Sa i përket projekteve ambientale, KEK po investon në katër ndotësit kryesor dhe brenda një viti do të minimalizohet ndotja. "Elektrofiltri i njësisë A5 ka nisur të ndërrohet dhe deri në pjesën e parë të vitit të ardhshëm do të ndërrohen edhe në dy njësitë tjera duke e sjell emisionin nga TC "Kosova A" brenda standardeve të BE-se. Investimi në këtë projekt është i KEK-ut dhe tejkalon shumen prej 25 milionë eurosh. KEK ka në përfundim edhe investimet në mbulimin e Kodrës së Hirit afër TC “Kosova A”, asgjësimin e mbi 20 mijë tonelatave materie të rrezikshme dhe ndërtimin e sistemit hidraulik të bartjes së hirit. Të gjitha këto projekte kapin një kosto prej afro 50 milionë eurosh", shtoi z. Gjukaj. BE është e zotuar të mbështesë Kosovën që t’i përmbushë obligimet dhe të arrijë standardet e BE-së që janë pjesë e Traktatit të Komitetit Energjetik. Për ta mbështetur sektorin energjetik, Komisioni Evropian në bashkëpunim me Bankën Botërore do të organizojë një konferencë të donatorëve në vjeshtën e këtij viti.