Bordi i Drejtorëve të KEK-ut ka marrë vendim afarist të rëndësishëm për përmirësimin dhe sigurimin e furnizimit me energji elektrike në Kosovë. Ai ka autorizuar menaxhmentin që të shpallë një tender për të kthyer prapë në operim njësinë A2. KEK-u është i vetëdijshëm për nevojën e krijimit të sigurisë energjetike në Kosovë, duke pasur parasysh vështirësitë me të cilat është ballafaquar gjatë këtij dimri (2011-2012); i tërë rajoni ka qenë në gjendje të jashtëzakonshme dhe importet e energjisë nuk ishin në dispozicion. A2 mbetet opsioni i vetëm i KEK-ut derisa të mund të vihet në linjë kapaciteti i ri energjetik.
KEK-u më nuk po merr subvencione të mjaftueshme për të importuar energji elektrike shtesë, e cila është më se e nevojshme për të plotësuar boshllëqet ekzistuese furnizim/kërkesë, si dhe për të plotësuar rritjen e kërkesës. Po ashtu ka pak gjasa që KEK-u do të pranojë rritjen e kërkuar prej 23% në tarifa, që është e nevojshme për të mbuluar koston e vërtetë të shërbimit ndaj konsumatorëve. KEK-u nuk do të ketë burime për mbulimin e nevojave për import shtesë që të plotësoj rritjen së kërkesës. Prandaj, e vetmja zgjidhje për Kosovën është të përdorë kapacitetet vendore gjeneruese që janë në dispozicion në mënyrë që të plotësohen nevojat për energji elektrike në mënyrë të pavarur nga importi.
KEK-u e kishte paraparë këtë situatë që në vitin 2009, kur kishte shpallur tenderin për rehabilitimin e njësisë A2 në shtator të atij viti. Tenderi është anuluar në nëntor të vitit 2009, për shkak të mungesës së mbështetjes nga partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë. Për periudhën 2009-deri ne fund te vitit 2012, KEK-u pritet që të shpenzojë mbi 200 milionë euro vetëm për import të energjisë elektrike.
Shtimi i 100 MW kapacitet neto në kohën e”pikut” (kërkesës maksimale), kur njësitë e tjera gjeneruese (A dhe B) nuk janë në operim, në mënyrë të drejtpërdrejtë do të zvogëlojë mbështetjen në importe shumë të kushtueshme, duke i mbajtur në këtë mënyrë edhe koston për konsumatorë sa më të ulët që të jetë e mundur dhe duke e lehtësuar barrën për buxhetin e shtetit. Rehabilitimi do të financohet nga kontraktuesi i cili do ta realizojë rehabilitimin ku brenda një periudhe pesë (5) vjeçare KEK-u do ta kthejë investimin e tyre. KEK-u këtë javë do ta shpallë tenderin për rehabilitimin e njësisë A2.
KEK-u është i angazhuar për të zvogëluar ndikimin e njësive të A-së në mjedis. KEK-u ka ndërmarrë një projekt me një kosto prej 25 milionë € për zëvendësimin e elektrofiltrave (EF) të njësive aktive të Termocentralit “Kosova A”. Përveç kësaj, riparimi i njësisë A2 do të përfshijë një EF të ri,si pjesë të këtij projekti. Kjo do të zvogëlojë emetimet e hirit dhe pluhurit në pajtueshmëri me Direktivën e BE-së për Impiantet e Mëdha me Djegie. Tashmë zëvendësimi i EF-së në njësinë A5 është në proces e sipër; pritet që të përfundohet në korrik 2012. KEK-u po ashtu është duke e rehabilituar edhe deponinë e hirit afër Termocentralit “Kosova A” duke përdorur metoda të pranueshme ambientale dhe është duke e ndërtuar një sistem për transportimin hidraulik të hirit të njomë. Të gjitha këto iniciativa do të zvogëlojnë dukshëm ndikimin e njësive të A-së në mjedis.
KEK-u pret që njësia A2 të rifillojë operimin në vitin 2013, si një masë zëvendësuese për të plotësuar kërkesën vendimtare për energji derisa Termocentrali Kosova e Re të vihet në funksion. KEK-u, në përputhshmëri me politikën e Qeverisë së Kosovës dhe marrëveshjet ndërkombëtare, është zotuar për dekomisionimin e të gjitha njësive të A-së, përfshirë A2, deri në fund të vitit 2017, me supozimin se Kosova e Re është në operim.
Foto legjenda: Nga e majta- Hamdi Gashi- shef i termocentralit “Kosova A”, Arben Gjukaj- Drejtor Menaxhues i KEK-ut dhe Njazi Thaqi- Drejtor i Operimeve në KEK