KEK sh.a. njofton publikun se kontraktori Hammn Environmental/Intering ka intensifikuar punimet në ndërtimin e elektrofiltrit të ri të njësisë A5. Punimet pritet të përfundojnë në korrik, ndërsa një pjesë e mirë e punës tashmë është kryer. Pas ndërtimit të këtij elektrofiltri ky bllok do të ketë emision brenda standardeve të Bashkimit Evropian. Menaxhmenti i KEK-ut është duke i inspektuar vazhdimisht punimet dhe është ndarë mjaft i kënaqur me punën që po bëhet. “Në bazë të punimeve të deritashme shihet se kontraktori po e kryen punën me seriozitetin më të lartë. Ky fakt na gëzon tej mase sepse ndërtimi i elektrofiltrave dhe investimet tjera në ambient janë një nga top prioritetet e KEK-ut”, tha Arben Gjukaj, Drejtor Menaxhues i KEK-ut. Ekspertët e ambientit nuk kanë ndonjë arsyje për shqetësim, pasi me punët që po kryhen, TC “Kosova A” do të ketë emetimin brenda standardeve, përkatësisht tymi nuk do të shihet thuajse fare me syrin e lirë. Pas elektrofiltrit të njësisë A5, do të nisë menjëherë ndërrimi i njësisë A3 dhe do të zgjasë deri në tremujorin e tretë, kur nisë ndërrimi i elektrofiltrit të njësisë A4. Ndërrimi nuk po bëhet të njëjtën kohë sepse duhet ndalur blloku deri në momentin e ndërrimit të plotë të elektrofiltrit. Projekti do të përfundojë në tremujorin e parë të vitit 2013 dhe ka koston prej mbi 25 milionë eurosh, investim vetanak i KEK-ut. Pos elektrofiltrave, KEK ka në përfundim e sipër edhe projektin për mbulimin e kodrës së hirit pranë TC “Kosova A”, ndërtimin e sistemit hidraulik të bartjes së hirit dhe asgjësimin e mbi 20 mijë tonë substanca të rrezikshme. Të gjitha këto projekte do të përfundojnë brenda këtij viti dhe tashmë është kryer një punë e madhe. Ato kanë një kosto prej afro 50 milionë eurosh.